Kryeministri Edi Rama ka reaguar dhe ka denuar dhunën e efektivit të policisë ndaj gazetares Anila Hoxha dhe operatorit teksa raportonin nga Qafë Molla në Dajt, ku u gjet trupi i vrarë i biznesmenit Ruzhdi Hoxha.


Edi Rama:
Respekt për punën e palodhur, sakrificat dhe rezultatet. Natyrisht është për të ardhur keq kur individë të caktuar me uniformën e policit të shtetit si rasti i fundit i dikujt që keqtrajtoi në mes të rrugës një gazetare jo për faktin se vajza ishte gazetare por për faktin se duke qenë gazetare ngjarja u bë edhe më e bujshme. Por në thelb për faktin që keqtrajtoi një qytetare, hedhin hije mbi gjithë këtë punë, mbi gjithë këto sakrifica dhe rezultate. Patjetër që çdonjëri prej jush punonjësve të policisë së shtetit që çdo mëngjes del nga shtëpia për të shkuar në një front të vështirë nuk e meriton që në punën e tij dhe në imazhin e uniformës që ai apo ajo veshin, të ketë të tilla stërkala balte që vijnë nga shkelja e patolerueshme e vijës së sjelljes së policisë së shtetit.

Për këtë arsye është e rëndësishme që jo vetëm të veprohet siç u veprua me shpejtësi dhe pa asnjë tolerancë duke i larguar menjëherë nga policia e shtetit por është me rëndësi që të theksohet nga ana e drejtuesve domosdoshmëria që të marrin parasysh se figura e policisë së shtetit nuk ka nevojë për asnjë gjest dhe asnjë fjalë të tepërt sepse është mishërimi i ligjit dhe ligji nuk flet, nuk bërtet, nuk kërcënon, nuk shan, ligji vepron. Në veprimin e ligjit, është krejt e tepërt të shtohen gjeste dhe të bëhen akte që faktikisht i ulin kokën atë ditë dhe nganjëherë për disa ditë të gjithë punonjësve të policisë së shtetit, të cilët fatkeqësisht në atë moment shihen të gjithë me atë sy për shkak të dikujt që nuk e meriton të jetë kolegu apo kolegia e tyre. Kolegët dallohen dhe janë shëmbëlltyra e mirësjelljes dhe efikasitetit ku kryejnë detyrën.