Kryeministri Edi Rama është i hapur për bashkëpunim pa kushte për opozitën, megjithatë ai ka theksuar se nuk do të lejojë kushtëzimin e votës për zgjatjen e afatit të organeve të Vettingut në Drejtësi me votën për Vettingun e politikanëve që kërkojnë demokratët.
Në një intervistë për gazetarin Denis Minga nga Beogradi, ku u mbajt takimi i radhës për Ballkanit të Hapur, Rama shprehet i gatshëm për të diskutuar për t’u ulur në tryezë e opozitën, teksa ka dhënë argumente se përse në ndryshim nga e kaluara, nuk ka thënë një “jo” kategorike për vettingun e politikanëve.
“PD bën shumë gabim, sepse zgjatja e mandatit të KPK nuk është në programin e PS si një nga pikat që PS ka një qëndrim të vetin, por për reformën në drejtësi ku ne jemi një nga aktorët, ku janë të përfshirë, BE, SHBA, PS dhe opozita.
Nismat e sjella nga PD, janë vetëm të saj, dhe për nismat e PD mund të diskutojmë, për nismat që lidhen në një reformë, dhe jemi katër, dhe ata të katërt nuk janë Mediu dhe Ndoka, por SHBA dhe BE nuk mund të thuhet që kjo është kusht për këtë, se janë pa lidhje njëra tjetrën.
Nuk ia kërkoj PD-së, zgjatjen e kërkon interesi kombëtar dhe interesi publik i vendit, nuk ia kërkoj unë”, tha Rama.
Shefi i qeverisë vijon të jetë skeptik për karakterin e kundërshtarit e tij politik, Lulzim Bashën , edhe pas deklaratave të këtij të fundit, ku distancohet hapur nga Sali Berisha.
“Karakteri është sëmundje ngjitëse. Çështja e karakterit nuk përcaktohet nga një veprim, por është e lidhur me shumë gjëra. Nuk marr seriozisht asgjë nga ato që thotë Lulzim Basha, po përtej të gjithave opozita në parlament është PD, lideri i saj është Lulzim Basha, opozitën nuk e zgjedh unë, por do të mbajmë të shtrirë dorën e bashkëpunimit. Kemi rezerva të mëdha për njëri tjetrin”, tha ai.
Kur vjen puna te presidenti i ri, Rama është i gatshëm sërish ta diskutojë me opozitën, por cilido qoftë emri i propozuar, kryeministri është i bindur se punën do ta bëjë më mirë se Ilir Meta.
“Nuk ka një emër, por çdo gjë do përpiqemi ta shtrojmë për diskutim me opozitën dhe më pas me shqiptarët. Kushdo qoftë nëse flet mirë shqip, e bën punën më mirë se Ilir Meta”, u shpreh Rama.
Rama tregoi indiferentizëm dhe zgjodhi të mos komentojë foltoren e ish kryeministrit Berisha dhe nismën e tij për të rimarrë drejtimin e PD. ”
Nuk e ndjek dhe as nuk më duhet fare, kryetari i PD është Lulzim Basha dhe jam i detyruar që ta dëgjoj dhe e respektoj”, tha numri 1 i qeverisë për Report TV.