Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Beogradi se Mali i Zi ka vendosur të mos i bashkohet nismës “Ballkani i Hapur” për shkak se pret të anëtarësohet në Bashkimin Europian vitin e ardhshëm. Rama theksoi se vendet e tjera të rajonit nuk e kanë këtë informacion për integrimin e Malit të Zi, ndërsa shtoi se në vitin 2022 ai do të thërras në samit edhe Zdravko Krivokapiq për të mësuar si hynë kaq shpejt në BE ose t’i kërkojë që të bashkohet me nismën e “Open Balkan”.
“Mali i Zi pret që të futet vitin tjetër në Bashkimin Europian. Këtë gjë ma ka thënë kryeministri vetë. Unë e mirëkuptoj dhe i kam thënë që vitin tjetër ju prisni që të futeni dhe po u futët ne do u kemi avokat më shumë për Ballkanin e Hapur për ta mbrojtur. Por të shohim nëse do futet apo jo. Unë uroj që vërtetë të futet në BE. Nuk e kemi informacionin që qenka gati kjo punë. Kur ta futi Bashkimi Europian.
Jam i bindur që do ta mbështesin Ballkanin e Hapur, se ne na shikon si vende që jemi pak më mbrapa. Nëse nuk futet ne i kemi thënë Bujrum hajde futu këtu tani se BE nuk e detyrojmë ne kur na fut. Por duhet të krijojmë këtu hapësirën Europiane. Futemi me këtë kulturë bashkëjetese. Është një shkollë për integrimin. Kur të mbarojë 2022 do ta ftojmë në samitin e 2022 dhe ose të na tregojë si u fut kaq shpejt në Bashkimin Europian ose të na bashkohet në Ballkanin e Hapur.” tha Rama.