Kryeministri Edi Rama ka zbuluar bisedën me Papa Françeskun pas takimit në Vatikan. Në një postim në Facebook, Rama shkruan se Papa flet për Shqipërinë dhe shqiptarët me një dashuri të posaçme dhe shpreh mirënjohjen për rolin si faktor paqeje në rajon.
“Papa Françesku flet për Shqipërinë dhe shqiptarët me një dashuri të posaçme, ruan të freskët kujtimin e vizitës së tij të parë jashtë Vatikanit në Shqipëri, shpreh mirënjohje për rolin e Shqipërisë si faktor paqeje në rajon, po edhe si një vend e një popull model solidariteti njerëzor, qysh me shpëtimin e hebrenjve e deri në ditët tona me mikpritjen për refugjatët afganë dhe përcjell bekimet e tij për të gjithë shqiptarët, duke përshëndetur gjithashtu bashkëpunimin më të ri mes Selisë së Shenjtë dhe Qeverisë Shqiptare, për krijimin e destinacionit të pelegrinazhit me përmendoren e me tempullin kushtuar Shenjtores Shqiptare, Nënë Tereza, në Tiranë” shkruan Rama.
Më rastin e 30-vjetorit të vendosjes e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri –Seli e Shenjtë, kryeministri Edi Rama me familjen zhvilloi një vizitë në Vatikan, nga ku ka dhënë lajmin se do të ndërtohet një Faltore në Tiranë për shenjëtoren Nënë Tereza. Kreu i qeverisë shqiptare i dha medaljen “Kordoni i madh me yll’, kardinalit Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit i Shenjtërisë së tij.