Gjenevë, 30 Nëntor – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në fjalën e saj në Sesionin Special të Asamblesë së OBSH-së për pandeminë, e cila po zhvillon punimet në Gjenevë, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shteteve në këtë moment të pandemisë, kur rreziku nga varianti i ri Omicron përbën shqetësim për të gjitha vendet. Manastirliu ka garantuar mbështetjen e Shqipërisë për Traktatin Ndërkombëtar, i cili do t’i vijë më mirë në ndihmë parandalimit, gatishmërisë dhe reagimit ndaj pandemisë dhe emergjencave shëndetësore.
“Kryeministri Edi Rama ishte ndër ata udhëheqës, të cilët, që më herët gjatë këtij viti kishin kërkuar hartimin e një traktati të ri ndërkombëtar në lidhje me luftën ndaj pandemisë. Ishte ky një apel për lidershipin politik të rangjeve më të larta për të shërbyer si katalizator për ndryshimin transformues për përgatitje dhe reagim ndaj pandemisë, të udhëhequr nga solidariteti, drejtësia, transparenca, përfshirja dhe barazia. Sot, përmes miratimit të një vendimi që krijon një Organ Ndërqeveritar Negociator, anëtarët e OBSH-së po veprojnë me kurajo në përgjigjie të atij apeli”, tha Manastirliu në fjalën e saj.
Ministrja e Shëndetësisë theksoi se Pandemia e COVID-19 ka qenë një sprovë limitesh për të gjithë vendet. “Nisëm dhe përshkallëzuam fushatën kombëtare të vaksinimit të popullatës ndaj COVID-19, që për hir të së vërtetës vetëm e thjeshtë nuk ishte – sepse nuk ndodhi as solidariteti global dhe as barazia e premtuar- ndërsa vazhdojmë të luftojmë me infodeminë, që po minon përpjekjet tona për vaksinimin e popullatës. Teksa ne na duhet të përballemi me valë dhe variante të emrave të këtij virusi, vala e tij shkatërruese vazhdon”, tha Manastirliu. Ministrja e Shëndetësisë theksoi se përpjekjet e përbashkëta drejt Traktatit Ndërkombëtar për parandalimin, gatishmërinë dhe reagimin ndaj pandemisë është një hap përpara drejt një mbrojtjeje më të fuqishme dhe më të shpejtë kolektive.
“Është mundësia jonë për të ndërtuar një arkitekturë të barabartë dhe koherente të shëndetit global, për të transformuar nga themelet sistemin ndërkombëtar të reagimit dhe gatishmërisë për pandiminë. Kjo Asamble Botërore e Shëndetit ka një mundësi historike për tu shndërruar në vendin ku bota u bashkua në emër të mbrojtjes së brezave të ardhshëm dhe për tu bërë ballë emergjencave të tjera madhore shëndetësore”, e mbylli fjalën e saj në Asamblenë e Posaçme të OBSH-së Ministrja Manastirliu. Në Sesionin e Posaçëm të Asamblesë së OBSH-së që po mban punimet në Gjenevë, marrin pjesë përfaqësues të lartë të mbi 100 shteteve anëtare të OBSh-së, ku pritet dakordësia e të gjitha vendeve për të ngritur një Organ Ndërqeveritar Negociator, për të punuar drejt një Traktati Ndërkombëtar, që do të sigurojë një bashkëpunim ndërmjet vendeve për përgjigjen ndaj pandemisë, akses të barabartë në shpërndarjen e vaksinave anticovid, masat e koordinuara për përballimin e emergjencave shëndetësore, me mësimet e mësuara nga pandemia.