Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, i pranishëm sot në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat tha se “projektbuxheti përcakton qëndrimin e politikës fiskale për vitin 2022 dhe alokon fondet e nevojshme për financimin e programeve të zhvillimit”.
Sejko vuri në dukje se, politikat ekonomike synojnë të orientohen drejt normalizimit, dhe t’i shërbejnë forcimit të qëndrueshmërisë të financave të vendit.
“Projektbuxheti i vitit 2022 merr jetë në kontekstin e një procesi rimëkëmbjeje të ekonomisë shqiptare, pas goditjes së dyfishtë të tërmetit dhe pandemisë, por edhe në sfondin e sfidave të vazhdueshme afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit që kemi përpara”, vuri në dukje Sejko.
Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, vijoi ai, zhvillimet ekonomike të vitit 2021, dhe në veçanti: normat e larta të rritjes gjatë gjysmës së parë të vitit; rikuperimi i pjesshëm i treguesve të tregut të punës; përmirësimi gradual i bilanceve financiare të sektorit privat; stabiliteti i inflacionit dhe i kursit të këmbimit; si dhe kreditimi në rritje i sektorit privat; tregon se ekonomia shqiptare po e përballon me sukses këtë sfidë.
“Banka e Shqipërisë gjykon se perspektiva e zhvillimit të vendit mbetet pozitive dhe se rimëkëmbja ekonomike po vjen drejt konsolidimit”, tha Sejko.
Guvernatori theksoi se, projektbuxheti bazohet në supozimin e një rritjeje pozitive dhe të qëndrueshme të ekonomisë, si gjatë vitit 2022 ashtu edhe në horizontin afatmesëm. Në veçanti, Projektbuxheti parashikon se të ardhurat buxhetore të vitit 2022 do të rriten me rreth 8% ndaj nivelit të pritur të vitit 2021, duke arritur në 28.7% të PBB-së.
Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, projeksionet makroekonomike, të cilat konturojnë buxhetin, janë realiste në skenarin e tyre bazë, edhe pse ato mbeten në kahun e sipërm të pritjeve tona. Po ashtu, projeksionet e të ardhurave buxhetore për vitin 2022 duken të pranueshme, por ato faktorizojnë dhe një efekt pozitiv të pritur nga rritja e formalizimit të ekonomisë.
“BSH sugjeron për vëmendje të vazhduar të qeverisë ndaj ecurisë së të ardhurave. Masa për kontrollin buxhetor dhe borxhin ekonomik. Rishikimin periodik të skemës së pensioneve, atë të sigurimeve shëndetësore dhe skemat e tjera të sigurimeve sociale, me synim ruajtjen e këtyre skemave në trajektore të qëndrueshme dhe të përballueshme për buxhetin e shtetit”, u shpreh Sejko.
Guvernatori theksoi se “BSH sugjeron përfshirjen e tavaneve ligjore afatgjata mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve. Ky rregullim do të ishte një element plotësues i kontrollit të nivelit të rrezikut potencial që PPP-të mund të kenë mbi shëndetin e financave publike; integrimin e procesit të kontraktimit dhe përzgjedhjes së PPP-ve me programin strategjik të investimeve, sikundër janë identifikuar në programet afatgjata të zhvillimit të vendit; kontraktimin dhe monitorimin e këtyre projekteve, sidomos sa i takon detyrimeve ligjore dhe financiare që ato i ngarkojnë Buxhetit”.
Në interes të pyetjeve të deputetëve të opozitës për rritjen e çmimeve, Guvernatori tha se, “BSH konsideron se inflacioni është i importuar dhe kalimtar, por nëse do të kemi inflacion me të fortë Banka e Shqipërisë do të shohë kahun e politikës monetare”.
Guvernatori theksoi se, hedhja në treg e prerjeve të reja të monedhave nuk cënon dhe nuk prek dhe nuk e ndryshon masën e parasë në qarkullim.