Mos-dakordësia për Ballkanin e Hapur, nuk i pengoi Kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kuri të çojnë përpara projektet e përbashkëta Shqipëri-Kosovë.

Opinionet e ndryshme, në raport me Ballkanin e Hapur, tha kryeministri Rama, nuk përbëjnë asnjë pengesë për të fuqizuar marrëdhëniet mes nesh.
EDI RAMA-Do të nënvizoja Marrëveshjen e bërë për të filluar menjëherë nga puna për studimin e fizibilitetit të hekurudhës Durrës-Prishtinë. Objektiv i përbashkët, jo vetëm i dy qeverive, por edhe personalisht i Albinit dhe i imi, për të shtrirë sa më shumë rrjetin e shërbimeve konsullore të përbashkëta, duke u bazuar në disa modele pozitive.
ALBIN KURTI- Bashkëpunimi ynë jam i bindur që do ti zvogëlojë deficitet tregtare edhe në Shqipëri edhe në Kosovë. Ky bashkëpunim shprehet si në shkëmbimin e informacionit e të përvojave, po ashtu dhe në bashkërendimin e aktiviteteve, detyrave e punëve që i kryejmë bashkë. Kosova e Shqipëria po hapen me shpejtësi për njëra-tjetrën dhe gjithçka tjetër është në rastin më të mirë e dorës së dytë.
Për Ballkanin e Hapur kryeministri Rama u shpreh se duhet të mësohemi me dy qasje të ndryshme.
EDI RAMA-Asnjë shqetësim për këtë dhe mendoj që është një vlerë e shtuar në këtë rast, në këtë periudhë të historisë sonë, që jemi shqiponjë me dy koka. Kur të vijë dita që të jemi shqiponjë me një kokë, rreziku është që të kafshojmë veten më shumë se sa sot që nuk e kemi këtë luks e nuk e kemi as këtë qëllim.
Por çfarë mendojnë të dy kryeministrat për idenë e bashkimit Shqipëri-Kosovë.
Edi Rama-Në rast se më pyesni a do ndodhë kjo apo jo, meqë ju më provokoni, po iu provokoj dhe unë, unë them që kjo do ndodhë. Unë nuk di kur do ndodhë, si do ndodhë sot, por që kjo do ndodhë një ditë, unë them po
ALBIN KURTI-Mua më duket se ka më shumë një moskuptim sesa keqkuptim tek çështja e bashkimit të shqiptarëve. Nuk është diçka që e zgjedhim apo përzgjedhim, është një intencë kolektive që na zgjedh ose përzgjedh neve. Nuk mund të vendosemi ne mbi këto proces historike e të përcaktojmë data e mënyra.