Që nga viti 2009, Alfred Shpata nga Shqipëria jeton në Kosovë.
Shtetësinë nga shteti i ri arriti ta marrë në vitin 2019, pas më shumë se dhjetë vjetësh martesë me një shtetase kosovare.
“Sinqerisht ka qenë shumë e vështirë. Më janë dashur shumë vite, çdo vit kam rinovuar dokumentet. Unë jam i martuar me shtetase të Kosovës, e kam banesën time, e kam punën time, i kam të gjitha këtu… edhe të zgjasë kaq shumë, kjo është e papranueshme”, thotë Shpata për Radion Evropa e Lirë.
Ligji për shtetësinë në Kosovë thotë se “personi i huaj, i cili është bashkëshort i shtetasit të Republikës së Kosovës, e fiton shtetësinë kosovare nëse ka të paktën tre vjet martesë me shtetasin e Kosovës” ose “është duke jetuar rregullisht në Kosovë për të paktën një vit dhe posedon leje qëndrimi të përkohshëm, të lëshuar nga organi kompetent”.
Shpata thotë se për një dekadë, çdo vit, i është dashur të rinovojë dokumente të ndryshme, duke filluar nga certifikata që nuk është nën hetime e deri te dokumentet e bashkimit familjar.
Ai thotë se me probleme të ngjashme, gruaja e tij vazhdon ende të përballet. Ajo nuk ka ende shtetësi të Shqipërisë.
“Unë nusen e kam këtu, jam i martuar këtu, jetoj këtu. Tash duhet të shkoj të qëndroj atje 5 vjet, për të fituar një pasaportë. Kjo është absurditet”, thotë 42-vjeçari, i cili punon si kamerier në një kafene të Prishtinës.
Në Ligjin për shtetësinë në Republikën e Shqipërisë thuhet se “i huaji, që është i martuar me shtetas shqiptar për një periudhë prej jo më pak se 3 vjetësh, mund të paraqesë kërkesë për të fituar shtetësinë me natyralizim, nëse zotëron njohuri të gjuhës shqipe në të folur dhe të shkruar dhe nëse ka banuar në mënyrë të ligjshme dhe të vazhdueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë të paktën për 1 vit”.
Por, nga 26 nëntori, së paku disa procedura për shtetasit e dy vendeve pritet të thjeshtëzohen.
Në këtë datë, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, gjatë mbledhjes së mbajtur në Elbasan, nënshkruan marrëveshje për lehtësimin e tyre.
Sipas marrëveshjes së cituar nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, qytetarët e Kosovës, me një aplikim dhe me procedura të thjeshtuara, do të marrin menjëherë lejen e qëndrimit në Shqipëri që zgjat 5 vjet dhe brenda saj përfshihet edhe leja e punës.
Edhe qytetarët e Shqipërisë që jetojnë në Kosovë, do të marrin leje qëndrimi në afat 1-vjeçar ose 5-vjeçar në Kosovë, me procedura më të lehtësuara.
Në mbledhjen në Elbasan, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u kërkoi ministrave të Brendshëm të Kosovës dhe Shqipërisë që leja e qëndrimit të mos ketë afat fare.
Sipas tij, kjo është “pengesë psikologjike” për njerëzit, të cilët duhet të aplikojnë çdo 5 vjet për të marrë lejen.
Asnjë aplikim për leje të përhershme qëndrimi nga shtetasit e Shqipërisë në vitin 2021
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se nga janari deri më 15 nëntor të këtij viti, leje të përkohshme qëndrimi në Kosovë kanë marrë për herë të parë 267 persona me shtetësi shqiptare. Prej tyre, për leje pune ishin 129.
Gjatë kësaj periudhe, lejet e përkohshme të qëndrimit u janë vazhduar 710 personave me shtetësi shqiptare. Prej tyre, për leje pune ishin 345.
Nga janari deri më 15 nëntor nuk ka pasur asnjë aplikim për leje-qëndrim të përhershëm, kurse leje-qëndrimet e përhershme u janë vazhduar 26 personave me shtetësi shqiptare. Prej tyre, për leje pune ishin 14.
Mbi 700 kosovarë me pasaporta shqiptare
Vetëm gjatë këtij viti, rreth 1,000 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për leje qëndrimi në Shqipëri.
Sipas një përgjigjeje të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, dërguar Radios Evropa e Lirë, këto aplikime kanë qenë kryesisht për bashkim familjar, për punë ose për studime.
Që një qytetar i Kosovës të pajiset me pasaportë të Shqipërisë, kushti kryesor është të pasurit e lejes së qëndrimit për 7 vjet.
“Në rast se shtetasi kosovar është i martuar me shtetase shqiptare, për jo më pak se 3 vjet, atëherë periudha e qëndrimit duhet të jetë të paktën 1 vit me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë. Nëse shtetasi kosovar provon (dëshmon) origjinën e tij shqiptare, i lindur nga prindërit me shtetësi shqiptare deri në 3 breza, leja e qëndrimit nuk është e nevojshme”, thuhet në përgjigje.
Aplikimi për fitim të shtetësisë shqiptare bëhet pranë Drejtorive Vendore të Policisë së Shqipërisë.
Numri i shtetasve nga Kosova, të cilët kanë marrë leje pune në Shqipëri nga viti 2018 e deri në shtator të vitit 2021, është 622.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, që nga viti 2000 e deri në vitin 2018, mbi 730 qytetarë të Kosovës janë pajisur me pasaporta të Shqipërisë.
Shumica prej tyre janë politikanë dhe familjarë të tyre, artistë, sportistë dhe anëtarë të shoqërisë civile, që me dekret të presidentit të Shqipërisë i kanë marrë pasaportat shqiptare./REL