Shumë vende po aplikojnë kufizime për udhëtimet ndërkombëtare pas shfaqjes së variantit të ri afrikano-jugor në fillim të kësaj jave. Sipas “BBC” Mbretëria e Bashkuar, Singapori dhe Japonia po ndalojnë udhëtimet nga Afrika e Jugut dhe shtetet fqinje. Bashkimi Europian po diskuton bllokimin e fluturimeve nga disa vende të kontinentit afrikan.
Shkencëtarët janë të shqetësuar për variantin e ri për shkak se dinë pak për atë. Organizata Botërore e Shëndetit deklaroi se do duhet kohë që të kuptohet ndikimi që do ketë varianti në botë dhe që shkencëtarët po studiojnë transmetueshmërinë e tij. Varianti afrikano-jugor është shumë i ndryshëm nga variantet e tjera të virusit.
Studiuesit kanë deklaruar që ky variant ka shumë mutacione dhe që mund t’i bëjë më pak efektive vaksinat. Organizata Botërore e Shëndetësisë pritet ta vendosë të premten nëqoftëse do ta quajë variantin e ri si kërcënues. Në botë deri tani janë raportuar rreth 100 raste të infektuara me këtë variant.
Shumica e rasteve janë raportuar në Afrikën e Jugut por janë raportuar raste në Hong Kong, Izrael dhe Botsvana. Ministri i Shëndetësisë i Mbretërisë së Bashkuar Sajid Javid tha se mendon që varianti tashmë është përhapur në disa vende të botës.