Policia Rrugore e Tiranës vijon kontrollet parandaluese për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe për disiplinimin e mënyrës së sjelljes në rrugë.
Nisur nga fakti që në fundjavë ngarkesa e trafikut për shkak të lëvizjeve në hyrje-daljet e kryeqytetit është me e shtuar se ditët e tjera, Policia apelon për më shumë kujdes dhe përgjegjshmëri nga të gjithë përdoruesit e rrugës, kryesisht për shmangien e qëndrimeve në rresht të dytë në rrugët urbane kryesore dhe dytësore, parakalimet në zonat e kryqëzimeve, përdorimin e celularit, ruajtjen e largësisë së sigurisë midis mjeteve dhe respektimin e kufijve maksimal të shpejtësisë, si në rrugët urbane, ashtu dhe në ato interurbane.
Si rezultat i kontrolleve të alternuara, Policia bën të ditur se janë arrestuar 7 drejtues mjetesh në gjendje të dehur ose të papajisur me leje drejtimi. Bëhet e ditur se janë pezulluar 22 leje drejtimi, për alkool dhe shpejtësi mbi normat e lejuara, janë proceduar administrativisht 320 drejtues mjetesh, për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjeteve, si dhe janë proceduar administrativisht 56 drejtues motomjetesh, për kalim në zonat e këmbësorëve dhe korsitë e biçikletave.
Njëkohësisht janë ndëshkuar 235 automjete të ndryshme, për shpejtësi mbi normat e lejuara, në bazë të pamjeve të adresuara nga makina inteligjente , si dhe janë proceduar administrativisht 23 drejtues automjetesh, për gara shpejtësie dhe sjellje agresive në rrugët urbane të kryeqytetit;
Po ashtu, janë proceduar administrativisht 16 drejtues automjetesh, për xhama të errësuar, si dhe janë proceduar administrativisht 876 drejtues automjetesh, për parkime të gabuara, në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, shumica në rresht të dytë.
Policia bën të ditur se të gjitha rrugët me risk dhe jo vetëm, janë nën monitorimin e patrullave të Policisë Rrugore, si dhe nga sistemet e kontrollit elektronik të shpejtësisë dhe shkeljeve të tjera.