Gjermania është prekur nga një pandemi masive e të pavaksinuarve, paralajmëroi sot ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn. Ai bëri thirrje për një shtrëngim të masave për të frenuar rigjallërimin e rasteve me Covid-19 në vend.
”Aktualisht po përjetojmë një pandemi kryesisht të të pavaksinuarve dhe kjo është masive”, tha ai. ”Shtretërit në kujdesin intensiv të spitaleve kanë filluar të mbarojnë sërish”, theksoi Spahn. Edhe kancelarja në largim Angela Merkel deklaroi se ishte “shumë e shqetësuar” për rritjen e infeksioneve të koronavirusit dhe shtrimeve në spital në Gjermani.
“Duhet të jetë një shqetësim për të gjithë ne”, tha ajo për gazetën ”Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”. ‘’Gjermania nuk i ka bërë të detyrueshme vaksinimet për asnjë grup’’, theksoi kancelarja.
“Por, fakti që dy ose tre milionë gjermanë mbi 60 vjeç nuk janë ende të vaksinuar, më trishton shumë, sepse mund të bëjë një ndryshim për ta personalisht dhe për shoqërinë në tërësi”, shtoi ajo.