Ministria e Shtetit për Rininë, Bora Muzhaqi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave ka bërë të ditur dy vendimet që janë marrë sot për përfshirjen e të rinjve në administratë.
Muzhaqi u shpreh se është miratuar vendimi për studentët ekselentë që do mund të përfshihen me kontrata 1 vjeçare në ministri dhe institucionet vartëse të tyre, si dhe ngritja e qendrave të ekselencës që do jenë në institucionet kryesore që janë vendosur si të nevojshme dhe aty do përfshihen të gjithë ata që kanë shprehur projekte të ndryshme.
“Përshëndetje të gjithëve,
Une besoj se e keni ndjekur vazhdimësinë e nismës “Gati Për Shqipërinë”.
Ka qenë një proces disa mujor, ku gjithë Kabineti i Ministrave është përfshirë në mënyrë aktive.
Me drejtimin e Kryeministrit ne kemi zhvilluar një sërë intervistash me të gjithë të rinjtë që kanë aplikuar.
Ka qenë një proces shumë i këndshëm, ku kemi njohur një sërë të rinjsh super të arrirë që kanë shprehur dëshirën për të kontribuar në Shqipëri dhe sot në fakt është një ditë e bukur për ta, sepse kemi miratuar dy projektvendime të cilat do të na ndihmojnë për t’i përfshirë ata, si pjesë të administratës.
Projektvendimi i parë sigurisht do të jetë për studentët ekselentë dhe studentët e arrirë, jo vetëm ata që kanë studiuar në Shqipëri por edhe ata që kanë studiuar jashtë Shqipërisë, të cilët tashmë do mund të përfshihen nëpërmjet kontratave një vjeçare, në të gjithë institucionet shtetërore, përfshirë Ministritë por edhe institucionet e tjera të varësisë.
Nga ana tjetër duhet theksuar se kjo nuk është një nisëm e përkohshme. Kjo është një nisëm që ne duam ta vazhdojmë edhe më tej në të ardhmen. Pikërisht projektvendimi i dytë, parashikon ngritjen e Qendrave të Ekselencës, të cilat do të jenë të vendosura në institucionet kryesore, si të nevojshme për t’i patur këto qendra. Aty do të përfshijmë, sic kemi premtuar edhe me të rinjtë që kanë aplikuar në “Gati Për Shqipërinë, të gjithë ata që kanë shprehur idetë dhe konceptet e tyre për projekte të ndryshme,e po ashtu do të mundësojmë përfshirjen e tyre duke iu ofruar mundësinë për të punuar online nga vendet ku ata jetojnë.
Ky është një moment shumë i mirë dhe ne do të vijojmë tashmë me procedurat me të gjithë aplikuesit që janë përzgjedhur nga nisma “Gati për Shqipërinë”
Ju falenderoj dhe ju uroj një ditë të mbarë!”, tha Muzhaqi.