Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar për deklaratën e 11 shoqatave të biznesit, të cilët shprehen kundër vendimit që ata të blejnë vetë energjinë elektrike në treg të lirë nga 1 janari 2022.
Shoqata e bizneseve parashtroi 5 kërkesa, ndërsa Ministria e Energjetikës tha se do të shqyrtojë dhe analizojë të gjitha kërkesat e tyre, për të pasur një qasje pozitive për mbështetjen e bizneseve prodhuese në këtë moment kur bota po përballet me një krizë energjetike.
11 shoqata biznesi shqiptare kanë kundërshtuar vendimin për të blerë vetë energjinë elektrike në treg të lirë duke thënë se kjo do të rrisë kostot e prodhimit që rrjedhimisht do të çojë në rritjen e çmimeve të produkteve në tregun vendas.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në kushtet e detyrimeve ligjore për liberalizimin e tregut të energjisë, në zbatim te ligjit nr. 44/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” dhe angazhimeve të marra në kuadër të përafrimit me legjislacionin e BE, e konkretisht me Direktivën 2009/72/KE, ka dëgjuar me vëmendje kërkesat e 11 shoqatave të bizneseve, të shprehura publikisht sot.
Duke mirëkuptuar situatën e krijuar për shkak të krizës globale energjetike, si dhe duke vlerësuar rëndësinë e zhvillimit të biznesit në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike të vendit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të analizojë të gjitha kërkesat e tyre, për të pasur një qasje pozitive për mbështetjen e bizneseve prodhuese në këtë moment të vështirë.
Në ditët në vazhdim MIE do të komunikojë publikisht qëndrimin e saj për të adresuar dhe mitiguar shqetësimin e shoqatave të biznesit të shprehur sot”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Energjetikës.