Në 30-vjetorin e vizitës së ambasadorit të parë amerikan në vendin tonë pas rënies së komunizmit, Uilliam Rajerson, kur ai paraqiti kredenciale, ambasadorja e tanishme Yuri Kim ka shkruar një editorial ku evidenton mbështetjen e vendit të saj për Shqipërinë dhe objektivat e së ardhmes.
“Jemi me ju në padurimin tuaj për një Shqipëri që është më e drejtë, më e fortë dhe më e pasur – një Shqipëri ku kushdo është i barabartë përpara ligjit, një Shqipëri që mbetet e fortë dhe sovrane, një Shqipëri ku cilido ka një mundësi të barabartë për begati”, ka shkruar Kim.
Mesazhi i plotë
Tridhjetë vjet më parë si sot, Uilliam Rajerson paraqiti letrat kredenciale si Ambasadori i parë i SHBA në një Shqipëri të sapofutur në demokraci. Pasi theu vargonjtë e komunizmit dhe diktaturës, populli shqiptar shtriu dorën – në miqësi dhe liri – drejt popullit amerikan. Shtetet e Bashkuara e rrokën atë dorë me gëzim dhe nuk e kemi lëshuar kurrë që atëherë.
Ndërkohë që përgatitesha për të ardhur në Shqipëri, u takova me Ambasadorin Rajerson për të marrë këndvështrimin dhe këshillat e tij. Më tregoi për ndjenjën e shpresës që kishte shënuar vitin 1991 dhe se sa i emocionuar kishte qenë si dëshmitar i vizitës së Sekretarit të Shtetit Xhejms Bejker. Mbi 300,000 shqiptarë – thuajse dhjetë përqind e popullsisë së vendit – ishin mbledhur në Sheshin Skënderbej për t’i uruar mirëseardhjen – për të përqafuar një fillim të ri midis Shqipërisë dhe Amerikës. Ambasadori Rajerson kujtoi se kishte qëndruar pranë një polici të gjatë dhe të ngrysur shqiptar dhe kishte parë lot t’i rrëshqisnin në faqe kur Sekretari Bejker kishte thënë fjalët e famshme, “Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne.” Ato fjalë mund të shihen si një premtim që i bëmë njëri-tjetrit – një premtim që e kemi mbajtur besnikërisht për 30 vjet, një lidhje e pathyeshme midis vendeve demokratike dhe të lira që zgjedhin të jenë partnerë, zgjedhin të jenë të çliruar nga e kaluara për të ecur përpara sëbashku drejt një të ardhmeje më të ndritur.
Gjatë 30 viteve të shkuara, ka pasur sprova dhe sfida, por Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë qëndruar krah për krah gjatë gjithë kësaj kohe. Ne ishim me ju në vitin 1991 kur filluat udhëtimin tuaj demokratik. Ishim me ju në vitin 1997 kur demokracia juaj u vu në provë seriozisht. Ishim me ju në vitin 1999 për të luftuar padrejtësinë dhe sjellë paqe në Ballkanin Perëndimor. Ishim me ju në vitin 2009 ndërsa hynit në NATO, aleanca më e madhe që ka ekzistuar ndonjëherë. Kemi qenë me ju në përpjekjen tuaj për të zënë vendin që ju takon si anëtar i Bashkimit Europian. Jemi me ju sot ndërsa ndërmerrni reforma të rëndësishme për të çrrënjosur korrupsionin dhe për të siguruar që çdo shqiptare e shqiptar të ketë një shans të barabartë për begati.
Nga viti 1991, populli amerikan ka kontribuar mbi një miliardë dollarë asistencë për Shqipërinë – për të ndihmuar forcimin e institucioneve demokratike, për të modernizuar ushtrinë shqiptare, për të zhvilluar biznesin, trajnuar punonjësit dhe profesionistë të tjerë, për ndërtuar rrugë dhe shtëpi, për të shtrirë energjinë dhe ujin e pastër, për t’iu përgjigjur fatkeqësive natyrore dhe më shumë se kaq. Afërsisht 160 milionë dollarë e kësaj ndihme ka shkuar për të përmirësuar sundimin e ligjit, përpjekjet anti-korrupsion, dhe ndihmë për ligjzbatimin. Ndihma jonë ka prekur drejtpërdrejt bashkësi dhe familje anembanë vendit, duke sjellë miqësinë amerikane në çdo qoshe të Shqipërisë.
Është mbresëlënëse të bësh inventarin e arritjeve të Shqipërisë në vetëm 30 vjet – anëtarësim në Këshillin e Europës dhe NATO, mikpritja e Defender 21, stërvitja më e madhe ushtarake në Europë, kandidatura për anëtarësim në BE, dhe shndërrimi në anëtar të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në vitin 2022. Por jemi me ju edhe në këtë: Shqipëria është në gjendje për shumë më tepër. Jemi me ju në padurimin tuaj për një Shqipëri që është më e drejtë, më e fortë dhe më e pasur – një Shqipëri ku kushdo është i barabartë përpara ligjit, një Shqipëri që mbetet e fortë dhe sovrane, një Shqipëri ku cilido ka një mundësi të barabartë për begati.
Siç kanë thënë shumë, demokracitë, përfshi Shtetet e Bashkuara, janë gjithnjë punë që vazhdon. Heroi i ndjerë i të drejtave civile të SHBA dhe anëtar i Kongresit të SHBA John Leëis pati shkruar, “Demokracia nuk është gjendje. Është veprim dhe secili brez duhet të bëjë pjesën e vet.” Ndërsa festojmë 30 vjetorin e marrëdhënie diplomatike të rivendosura këtë vit dhe përgatitemi të festojmë vitin e ardhshëm 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, le të bëjmë edhe ne të gjithë pjesën tonë.
Kam besim se ashtu siç kemi qenë në krah të njëri-tjetrit këto 30 vite të shkuara, do të vazhdojmë të jemi me njëri-tjetrin për të kapërcyer çfarëdo sfidash kemi përpara, për të rrokur mundësitë, për të ecur përpara, për të zgjedhur të ardhmen. Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne!