Kreu i PD, Lulzim Basha është i ftuar këtë të hënë në emisionin “Real Story”, në “News 24”, ku po flet mbi zhvillimet e fundit në parti.
Ai ka thënë se ajo që ndodhi në Kuvendin e 18 dhjetorit dhe në mbledhjet e Këshillit Kombëtar, është vendosja e një standardi për të nesërmen.
“Ka mënyra të ndryshme për ta distiluar Kuvendin, por mendoj që akti më i madh që ka bërë Kuvendi Kombëtar është që ka vendosur të zgjedhë të ardhmen. Të zgjedhësh të ardhmen do të thotë të shkëputesh nga ajo pjesë e të shkuarës që të mban në vend numëro apo të tërheq pas në çdo kuptim , në mentalitet, në sjellje, në qasjen ndaj qytetarëve, në qasjen ndaj proceseve politike, në qasjen ndaj dinamikës politike qoftë brenda vetes, qoftë në raport me kundërshtarit politik, në qasjen ndaj medias, në qasjen ndaj të vërtetës. Të zgjedhësh të ardhmen do të thotë të projektosh në emër të shqiptarëve dhe për shqiptarët jo emëruesin më të ulët të përbashkët, por ëndrrat e tyre më të mira për këtë vend dhe t’i kthesh ato në një projekt politik dhe pastaj me besimin e shqiptarëve ta zbatosh atë projekt politik. Padiskutim që pjesa sensacionale është vendimi që çdo person non grata nuk mund të jetë pjesë e organeve drejtuese, e institucioneve drejtuese të Partisë Demokratike”, tha Basha.
Ai ka komentuar po ashtu edhe protestën e sotme. Basha tha se protestuesit ishin ndarë në dy pjesë, njëra që janë aty për interesa personale, e demokratët e thjeshtë që janë të dëshpëruar dhe ndaj kësaj kategorie, ai tha se ndjen përgjegjësi.
“Në oborr kishte demokratë, jo thjesht njerëz të interesave të ngushta që e urrejnë dhe e kanë urryer Sali Berishën, e që i janë bashkuar për interesa të ndryshme. Aty kishte demokratë që i kam pasur në krah në beteja. Ti shohësh të keqpërdoren në funksion të interesave personale të një njeriu, qoftë ky Sali Berisha që ka dominuar PD këto vite, t’i shohësh të keqpërdoren ndjesia e parë teksa i shihja është një ndjesi dhimbjeje.
Ata janë njerëz që s’e meritojnë të keqpërdoren. Ata po vuajnë gabime. Ata kanë dhënë shpirtin e tyre, jo për të madhe një vend pune, por demokracinë, triumfin e saj, mbi 8 vite të një qeverisje që pak ka të bëjë me demokracinë e Shqipërisë. Ndjesia e parë është keqardhje kur sheh ata demokratë aq sa ishin të përdoren. Ndjenja e përgjegjësisë për të bërë gjithçka që këta demokratë të mos i kesh të pashpresë, por t’i kem në krah, në krahun tim, në një betejë frontale, këtë herë me pjesën dërrmuese të shoqërisë. Me një betejë që s’ka të bëjë me karrierën time dhe hallin tim personal, por fatin e shqiptarëve”, tha Basha.