Alpinistët kanë zgjedhur Thethin, një nga bukuritë natyrore më të vyera të Shqipërisë për të bërë alpinizëm.

Pasioni i ngjitjes për të mbërritur në majën më të lartë, pasioni për borën, akullin, malet, i bënë alpinistët të pandalshëm në pasionin e tyre për të qasur më të bukurën.

Thethi është magji turistike sepse është tabloja më e bukur natyrore, ku vijat dhe konturet ngjiten dhe zbresin duke krijuar thyerjet më fantastike të peizazhit e pastaj zbresin si në një kupë në rrafshnajën e Thethit duke krijuar një shtrojë të gjelbër ku janë ngulur kullat shekullore, ashtu të ngurta prej guri që hahen me malet.

Administrata e Zonave te Mbrojtura, Shkodër ka postuar një video ku dy alpinistë të apasionuar ngjiten drejt majës së alpeve aty ku malet prekin qiellin.

Thethi është një fshat në njësinë administrative Shalë në qarkun e Shkodrës dhe është qendra e Parkut Kombëtar të Thethit.

Alpet shqiptare ofrojnë pamje të mahnitshme për syrin e vizitorëve.

Rrugëtimi më komod është aksi Shkodër- Malësi e Madhe-Bogë-Qafë-Thore-Theth, ku ia vlen të kalohet për pamjet e mahnitshme që të ndesh syri. Nga Shkodra do të kaloni në territorin e bashkisë Malësi e Madhe, do të vizitoni fshatin piktoresk të Bogës.

Thethi është një fshat në njësinë administrative Shalë në qarkun e Shkodrës dhe është qendra e Parkut Kombëtar të Thethit.

Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare, e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar në të gjitha stinët, por në dimër është i jashtëzakonshëm, një peizazh i pakrahasueshëm me malet e Ballkanit.

Në stinë e dimri, ku dëbora ka pushtetin bardhësisë, pamja bëhet mahnitëse, e papërshkrueshme, tunduese për të gjithë turistët, kryesisht të huaj dhe mbi të gjitha për të apasionuarit e maleve dhe të alpinizmit.