Pas transmetimit të emisonit të fundit të ‘Top Story’ në Top Chanel ku trajtohej çështja e antibiotikëve të kafshëve dhe sigurinë veterinare ka reaguar Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Në reagimin e publikuar thuhet se siguria ushqimore konsiderohet nga shtyllat kryesore të fushës së veprimit. Në reagim thuhet gjithashtu se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nisur një proces analizimi në lidhje me nevojat për ndërhyrje ligjore dhe rregullative, ndërkohë që rastet specifike të trajtuara në emision, po verifikohen me prioritet.

Reagimi i plotë:

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e konsideron sigurinë ushqimore shtyllë kryesore të fushës së saj të veprimit.

Duke falënderuar Top Channel, për çështjen e rëndësishme të trajtuar në emisionin “Top Story”, me titull “Antibiotikët e Kafshëve”, të transmetuar në datën 15 dhjetor 2021, bëjmë me dije për opinionin publik sa më poshtë:

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nisur një proces analizimi për të evidentuar nevojat për ndërhyrje ligjore, rregullative dhe përputhshmërie në fushën e veterinarisë.

Ky proces, po shqyrton ndër të tjera edhe rregulloret për tregtimin e produkteve mjekësore veterinare, aktet nënligjore dhe procedurat në fuqi në fushën e veterinarisë, konkretisht në importin, regjistrimin dhe tregtimin e produkteve mjekësore veterinare.

Theksojmë se, rastet specifike të trajtuara në emision, po verifikohen me prioritet nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe sigurojmë konsumatorin se ku do të rezultojnë shkelje do të merren masa të menjëhershme.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Lexo.al