Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla deklaroi se dekreti i Presidentit për kthimin e buxhetit të vitit 2022 do të rrëzohet nga Partia Socialiste.
“Grupi parlamentar socialist do të rrëzojë dekretin e Presidentit për kthimin e buxhetit të shtetit 2022, duke i hapur rrugë hyrjes në fuqi buxhetit më të madh në historinë e Shqipërisë”, tha Balla pas mbledhjes së deputetëve të PS-së.
Sipas Ballës, buxheti i shtetit 2022 mundëson vazhdimin e financimit të reformave, sigurimin dhe përmirësimin e shërbimeve publike, forcimin e drejtësisë sociale dhe zgjerimin e paketës sociale për të gjithë shtresat në nevojë, si dhe sigurimin e investimeve të domosdoshme për zhvillimin e mëtejshëm të sektorëve strategjikë dhe ekonomisë së vendit.