Ministria e Energjisë bën me dije se në HEC-in e Vaut të Dejës tashmë do të prodhohet energji edhe përmes paneleve fotovoltaike të instaluar në digën e këtij hidrocentrali.
‘Rrisim kapacitetet dhe eficencën përmes diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë’, shkruan ministria.
Gjatë një inspektimi në këtë HEC, ministrja Belinda Balluku ka nënvizuar sërish se çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet për familjarët dhe bizneset e vogla.
“Qeveria ka marrë përsipër të mbrojë abonentët familjarë dhe të biznesit të vogël. S’do ketë asnjë qindarkë rritje çmimi sa i përket këtij grupi. Megjithatë duke qenë që VKM i jep mundësi kesh të vazhdojë dhe të ketë mundësi të tjera prodhimi, si shkëmbimi energjetik, me partner rajonalë, dhe sigurisht blerjes me procedura të gjata duke krijuar një optimizim financiar. Sasia energjetike me çmimin që ka por nga ana tjetër KESH i duhet të rrisë kapacitetin e tij. Është prodhim energjie i gjelbër. Nuk ka shumë vende në botë që e plotësojnë këtë kusht. Gjigant është për të qenë floting dhe është ndër të paktët në Evropë që ka këtë lloj kapaciteti”, tha ministrja.
Balluku shprehu qartë se synimi i qeverisë është që të eksportojë energji në rajon. E bindur ajo theksoi se Shqipëria do t’ia dalë sepse projektet nuk janë në letër as në 3D por janë të mirërealizuara.
“Tek shikojmë këto projekte të reja marrim shpresë që s’do kemi problematika, të paktën pas 5 vitesh Shqipëria do ketë ngritur kapacitete mbuluese, siç është edhe Skavica. Nga ana tjetër synimi ynë kryesor është që të kthehemi një vend eksportues për rajonin. Shqipëria do t’ia dalë sepse projektet nuk janë në letër as në 3D por janë të mirërealizuara. E gjithë kjo punë që po bëhet sot do të japë rezultate në vitet e ardhshme“, tha Balluku.