Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “në dispozicion të qytetarëve janë 1209 shërbime, që mund të merren nga telefoni ose kompjuteri më i afërt, që janë 95 % e shërbimeve publike”.

Në takimin e parë sensibilizues për Bashkëqeverisjen si mekanizëm i ri detyrues ligjor, të zhvilluar në Elbasan, Rama tha se “sot nisim një cikël takimesh sensibilizuese lidhur me një ligj të ri që është votuar së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë. Për arsyet e mosarsyes, që tani dihen botërisht, është kthyer mbrapsht nga Presidenti i Republikës, por thjesht kjo vonon për pak javë futjen në fuqi plotësisht të ligjit, sepse ligji do të miratohet ashtu siç është nga Parlamenti”.

“Koncepti i bashkëqeverisjes, platforma shqiperia.al, ndërveprimet me këtë platformë të shumë qytetarëve nuk janë diçka e panjohur për shumëkënd. Një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve është problematika e vjetër e zvarritjeve, ryshfeteve, për të marrë shërbime në administratë. Sot ne kemi të gjitha arsyet të besojmë objektivisht se në mos 100 %, 90 % të gjithë problematikës së këtyre marrëdhënieve kemi në dorë ta zgjidhim me pak vullnet të mirë dhe me gatishmërinë e qytetarëve për të bërë një ndryshim shumë të thjeshtë në këto marrëdhënie duke mos shkuar në zyra për të marrë shërbime, por duke shfrytëzuar të gjithë sistemin e ri të shërbimeve online përmes telefonave ose kompjuterit më të afërt”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “keni parasysh një gjë, që kemi në dispozicionin tuaj 1209 shërbime që mund të merren nga telefoni ose kompjuteri me i afërt që janë 95 % e shërbimeve publike, që do të thotë që nuk është e nevojshme për të shkuar në asnjë zyrë, për të njohur asnjeri, për të pritur në asnjë radhë. Kjo mund të duket çudi deri kur secili mund ta provojë”.

“Sot e-Albania është një emër i njohur pikërisht falë asaj fatkeqësie që na ra, pandemisë, ku një masë e madhe qytetarëve u detyruan të njihen me e-Albania-n nga halli”.