Ish kryeministri Sali Berisha ka dalë në konferencë për mediat nga selia e PD duke thënë se Komisioni i Përkohshëm i drejtimit të PD ka vendosur që të zbatojë vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit.
Berisha sqaron se Komisioni do t’i komunikojë Bashës vendimet e anëtarësisë së PD për referendumin e datës 18 dhjetor për shkarkimin e kryedemokratit.
Në fjalën e tij theksohet se Komisioni vendosi të njoftojë se anëtarësia e PD është në këmbë dhe e vendosur të zbatojë vendimin e saj, ndaj fton çdo deputet të PD të marrë dosjen e votimit të degës nga e cila është zgjedhur deputet dhe të marrë vendimet e duhura.
Berisha: Sot, Komisioni i Përkohshëm i drejtimit të PD, pas diskutimesh të gjera ka vendosur të fillojë menjëherë nga puna për zbatimin e vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit të Rithemelimit të PD. Deri më 22 mars, të gjitha strukturat e kësaj partie duhet në përputhje me ndryshimet statutore të shtrohen në struktura. Kjo është një punë intensive por pasioni, energjia, përkushtimi i demokratëve është më i madh se kurrë. Duk e u angazhuar në këtë proces të një rëndësie jetike, demokratët e Shqipërisë janë të vetëdijshëm se janë në një revolucion të pandalshëm, të një rëndësie jetike për fatin e demokracisë në Shqipëri.
Komisioni vendosi t’i komunikojë deputetit Lulzim Basha vendimet supreme të anëtarësisë të PD në aktin më historik të lirisë gjatë pluralizmit siç ishte referendumi i datës 18. Ky akt, siç e dini ishte shkarkimi për të cilin vendosën me votë të fshehtë delegatët e Kuvendit të thirrur nga anëtarësia më 11 dhjetor 2021. Deputetit Basha do ti dërgohet një shkresë për këtë vendim. Ndërkohë për të gjithë anëtarët e PD, 44 mijë të rinj, të reja, burra dhe gra që votuan më 18 dhjetor për të gjithë shqiptarët në Shqipëri dhe kudo që ndodhen, Komisioni vendosi të njoftojë se anëtarësia e PD është në këmbë dhe e vendosur të zbatojë vendimin e saj. Ftoj çdo deputet të PD që e ndjen veten deputet të kësaj force politike dhe jo deputet të Lulzim Bravës, ftoj çdo deputet të PD që e ndjen veten njeri të lirë dhe jo të gancuar nga interesa të ndryshme, të vijë të marrë dosjen e votimit të degës nga e cila është zgjedhur deputet dhe të marrë vendimet e duhura.