Ka përfunduar mbledhja e Komisionit të Rithemelimit të PD. 29 anëtarët e komisionit kanë dalë nga salla, ndërsa ish kryeministri Berisha po mban një konferencë për mediat, në sallën ku u zhvillua mbledhja në selinë e PD.
Berisha tha se kjo konferencë është më e veçanta e të gjitha të tjerave të veçanta dhe se vjen pas Kuvendit të rithemelimit të PD, që sipas tij, pas atij të themelimit të PD në 1990 ishte më perëndimori.
“Nga të gjitha konferencat e shtypit të karrierës sime, ju garantoj se kjo konferencë është më e veçanta e të gjitha të tjerave të veçanta. Kjo konferencë mbahet sot pas Kuvendit Kombëtar të rithemelimit të PD-së, ngjarje kjo absolutisht unike si monument lirie e grave dhe vajzave, djemve dhe burrave të lirë që në kundërshtim, në përballje me narkoshtetin dhe në nomenklaturën apo më troç me pengkryetarin, por edhe presione të tjera të pandershme ngrihen si vigan në një Kuvend të lirë. Vendosin të rikthejnë fuqishëm pluralizmin politik në Shqipëri. Ju garantoj se pas themelimit të PD-së në vitin 1990 dhe aktivit të saj kombëtar ku Kuvend ishte Kuvendi më perëndimor, në rrafshin e vlerave që sanksionoi në Kushtetutën e PD-së. Jehona e këtij Kuvendi siç ishte unik në llojin e tij, e atyre që duan lirinë dhe i thonë lirisë liri. Por dua t’ju njoftoj me kënaqësi se personalitete nga më të shquarat të krahut konservator në Europë dhe në botë kanë dërguar mesazhe përgëzimi të madh”, tha Berisha.