Shpeshherë mjekë të ndryshëm kanë bërë thirrje ose kanë rekomanduar që gratë shtatzëna nuk duhet ta bëjnë vaksinën në 3 muajt e parë të shtatzënisë për të qenë më të sigurta për veten, por gjithashtu edhe për beben e tyre, por sa qëndrojnë këto hipoteza ose sa duhet t’i dëgjojnë gratë shtatzëna këto këshilla? Përgjigjen për këtë çështje e ka dhënë drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj.

Skënder Brataj: Sigurisht që është një pikë shumë e rëndësishme për të gjithë. Kërkojnë informacion, dërgojnë mesazhë në të gjitha format, por zakonisht kur duam një fëmijë, e mendojmë më përpara dhe kështu e mira është që të vaksinohen përpara.

Teoria e 3-mujorit është e lidhur dhe me faktin që zakonisht thuhet se nëse në 3 muajt e parë, gruaja shtatzënë ka probleme të shëndetit, mundohet të marrë sa më pak medikamente për arsye se në 3 muajt e parë zhvillimi i fetusit është shumë herë më i rëndësishëm, kështu që si praktikë, si teori që ne e përdorim qëndron që në 3 muajt e parë duhet të jemi të kujdesshëm, por fakti që po u sëmurëm 3 muajt e parë, si do të veprojmë? Sigurisht që do të prevalon jeta e nënës në fillim gjatë shtatzënisë, nëse rrezikon jetën.

Në qoftë se nuk rrezikon jetën, sigurisht që të dyja duhet të mbrohen, prandaj është shumë e rëndësishme që të bëhet vaksinimi para shtatzënisë, nëse dikush e ka programuar. Në 3-mujorin e parë duhet të tregohen shumë të kujdesshëm përsa i përket izolimit, qëndrimit larg vendeve të populluara, supermarketeve, derisa të kalojnë ato muaj për të bërë pastaj vaksinën. Shtatzënia e pavaksinuar ka treguar që në fundin e gravidancës ka pasur probleme, si lindja e parakohshme, prandaj është e këshillueshme që të ndiqen këto këshilla.