Prezenca e variantit të ri Omicron në vendin tonë pritet të sjellë një shtim të rasteve të të infektuarve pasi ky mutacion përhapet më shpejt se Delta. Kështu ka deklaruar Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj gjatë një interviste.

Sipas Bratajt simptomat e këtij varianti janë më të ngjashme me gripin. Komiteti Teknik ka vendosur që nata e ndërrimit të viteve nuk do të ketë kufizime orari, ndaj Brataj ka kërkuar që qytetarët të respektojnë masat. Ndërkohë, apeli kryesor i autoriteteve shëndetësore mbetet vaksinimi anti-Covid.

Brataj: Është e vërtetë që vaksina nuk ndalon infektimin, por shpëton jetën.

Nga fillimi i procesit të vaksinimit në vendin tonë, mbi një milion persona janë vaksinaur me të dyja dozat e vaksinës anti-Covid. Ndërkohë që 136 mijë kanë marrë edhe dozën e tretë.