Kryeministri britanik Boris Johnson do të nxisë sot, me anë të mesazhit tradicional për Krishtlindjet, qytetarët që të marrin vaksinat përforcuese duke e përshkruar këtë si një dhuratë të mrekullueshme për familjet e tyre.
Boris Johnson do të thotë gjithashtu se ”pandemia është larg përfundimit, pasi Omicron po fuqizohet”.
“Megjithëse koha për të blerë dhurata teorikisht po mbaron, ka ende një gjë të mrekullueshme që mund t’i jepni familjes dhe gjithë vendit tuaj dhe ajo është ta merrni atë vaksinë, qoftë kjo e para apo e dyta, apo përforcuesi”, do të shtojë ai.
”Kështu që festat e vitit të ardhshëm të jenë edhe më të mira se të këtij viti. Ne duhet ta marrim vaksinën që na mbron dhe na ndalon të infektojmë të tjerët”, do të theksojë ai.
”Të vaksinohemi jo vetëm për veten, por edhe për miqtë dhe familjen dhe këdo që takojmë. Dhe ky, në fund të fundit, është mësimi i Jezu Krishtit, lindja e të cilit është në qendër të kësaj feste të madhe, që ne duhet t’i duam fqinjët tanë ashtu si duam veten”, sipas kryeministrit Johnson.