Në vijim të dëgjesave publike për miratimin e buxhetit të vitit 2022, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një bisedë me përfaqësues të organizatave rinore dhe ekspertë në fushën e inovacionit. Duke e vënë theksin te fusha e teknologjisë së informacionit, Veliaj tha se e ardhmja është e gjitha digjitalizim dhe kjo është arsyeja përse edhe buxheti më i madh është fokusuar në drejtim të projekteve novatore, si qendra simotra të TUMO-s në kampuset universitare, ashtu edhe në drejtim të nanoteknologjisë dhe Piramidës, projekti më i madh i dedikuar ndonjëherë rinisë.
“Ne ndërtuam 8 godina në Universitetin Bujqësor të Tiranës, nga te cilat dy godina na duhen për studentët, kurse 6 ndërtesat e thera do t’ia kushtojme projekteve per reknologjine. Njera prej tyre eshte projektuar si hapësirë për Nanoteknologjinë. Arben Markoçi është një ndër mendjet e bukura gjeniale, që drejton programin e kërkimit në Nanoteknologji në Akademinë e Shkencave të Katalonjës, Barcelonë. Ky potencialisht është projekti i parë për nanoteknologjinë ku jam shpresëplotë se do funksionojë mirë,” u shpreh Veliaj.
Ai tha se i gjithë programi shkollor po orientohet drejt teknologjisë, që në ciklin e ulët. “Duke filluar nga viti tjetër, qeveria ka marrë një vendim, siç fillojmë me anglishten në klasë të parë, do fillojmë edhe me kodimin që në klasë të parë. Ushtrimi ka qenë kyç në këtë, sepse na ka dëshmuar një projekt pilot, ku, ti thua, siç mëson abc e 1,2,3, mund të mësosh edhe “Java”, derisa të vijne ne moshën për Tumon, Software Development Academy dhe shkollen Holberton,” deklaroi Veliaj.
Ndër projektet e tjera që gjithashtu i vijnë në ndihmë zhvillimit të qytetit përmes teknologjisë, Veliaj përmendi domosdoshmërinë e ngritjes së një agjencie për transportin publik. “Ne do themelojmë atë që quhet Agjencia e Transportit Publik. Ne nuk mund të jemi vetëm një drejtori që kontrollon licencat. Ne duhet të jemi një autoritet i mirëfilltë që i bën detyruese disa vendime, siç mund të jetë vendimi për GPS, i cili mund të jetë edhe “open source”, pra që të kesh edhe ti akses dhe kushdo tjetër që do të bëjë një aplikacion,” theksoi Veliaj.