Në dhjetor duket sikur edhe ushqimet marrin ngjyra festive. Dhe nuk mund të mos mendosh për gjelin e detit të mbushur e të pjekur mirë, përsheshin karakteristik apo sallatërat e shumta që servirin amvisat shqiptare.

Tani është fundi i sezonit të kungujve dhe gështenjave, ndaj shfrytëzojini mirë nëse ju zë syri ndonjë kungull nga zona e Peshkopisë apo ndonjë gështenjë të Tropojës.

Aktualisht të gjitha këto perime mund t’i gjeni në tregjet e fshatarëve, të freskëta të sapo këputura që në mëngjes.

Teksa duhet të kujdeseni për të përzgjedhur më të mirat perime të stinës, por më shumë se çfarë vlen të konsumohet e freskët në dhjetor lexoni guidën nga AgroWeb.org:

Brokoli
Gjysmën e vitit, nga muaji dhjetor në muajin maj, ju mund të zgjidhni mënyra të ndryshme për të gatuar këtë “super ushqim”. Brokoli ka pak kalori dhe është tejet i pasur në vitamina e minerale si dhe shumë fibra.

Përse është i mirë brokoli?

Brokoli përmban vitaminat K, C, acid folik, kalium dhe fibra. Është gjithashtu i pasur në beta-karoten dhe sulforofan, një lëndë e cila po studiohet nga shkencëtarët për vetitë anti-kancerogjene.

Sipas ekspertëve të AgroWeb.org, Vitamina K që brokoli përmban është thelbësore për funksionimin e proteinave që ndikojnë në koagulimin e gjakut.

Vitamina C ndikon në krijimin e kolagjenit, lëndës që formon indet trupore, kockat dhe ndihmon në shërimin e shpejtë të të prerave apo plagëve.

Brokoli përban edhe fibra, të cilat ndihmojnë sistemin tretës dhe ndikojnë në uljen e sasisë së kolesterolit në gjak. Ndërkohë që acidi folik që brokoli përmban është i nevojshëm për prodhimin e qelizave të reja në trup.

Si ta zgjidhni brokolin?

Zgjidhni brokolin, kurora e së cilës është ngushtësisht e lidhur me njëra tjetrën, pra janë të mbyllura dhe kanë një ngjyrë të gjelbërt të thellë.

Bëni kujdes të mos zgjidhni brokolin lulet e të cilit kanë ngjyrë të verdhë apo të gjelbërt të hapur. Ndërkohë as brokoli që ështe pjekur më shumë seç duhet nuk duhet përzgjedhur.

Do të jetë shumë i fortë për t’u kafshuar dhe do të ndahet në copëza kur ta gatuani.

Si ta ruani?

Brokoli është një perime që prishet shumë shpejt. Për këtë arsye mbështilleni mirë dhe vendoseni në sirtarin e poshtëm të frigoriferit. Përdoreni sa më shpejt të jetë e mundur, nëse dëshironi që brokoli që konsumoni te jetë i freskët dhe i pasur me lëndë ushqyese.

Lulelakra

Lulelakra prodhohet nga muaji dhjetor deri në muajin maj. Fermerë shqiptarë në vitin e fundit e kanë shtuar prodhimin e lulelakrës për shkak të rritjes së kërkesës nga tregu vendas dhe ai europian.

Në dhjetor ju mund të konsumoni lulelakër të freskët, pasi vlerat ushqyese të saj janë të shumta. Por mos e teproni, pasi konsumi në sasi shumë të mëdha, shkakton fryrje të barkut.

Çfarë përmban lulelakra?

Lulelakra është e pasur me vitaminë C, K, B-6 dhe acid folik. Ajo përmban gjithashtu kalcium, hekur, magnez, fosfor dhe një sërë vitaminash të tjera të dobishme për organizmin.

Lulelakra përmban antioksidantë që parandalojnë mutacionet e qelizave dhe ulin stresin që formohet nga radikalet e lira.

Lulelakra është e pasur në fibra dhe ujë. Për këtë arsye ajo lufton sëmundjet e lidhura me aparatin tretës. Ajo ndihmon dhe në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe obezitetit.

Një tjetër përbërës i lulelakrës, kolina, ndihmon në forcimin e memorjes, të muskujve, si dhe ndihmon me problemet e gjumit.

Si ta zgjidhi lulelakrën?

Për ta konsumuar gjithmonë të freskët, duhet të kujdesemi që kurora e lulelakrës që zgjedhim, njësoj si ajo e brokolit, të jetë e mbyllur dhe lulëzat e saj duhet të jenë të pozicionuara shumë afër njëra tjerës.

Varieteti i bardhë duhet të jetë shumë i zbehtë dhe nuk duhet të ketë asnjë pikë, apo njollë të zezë në sipërfaqe.

Si të ruajmë lulelakrën?

Edhe pse në pamje lulelakra duket jetëgjatë, në të vërtetë ajo prishet shumë shpejt. Për ta ruajtur sa më gjatë, mbështilleni dhe vendoseni në sirtarin e poshtëm të frigoriferit.

Arra e lajthi
Amvisat i konsiderojnë arrorët si element kryesor në kuzhinë, njësoj si mielli apo gjalpi. Pavarësisht se arrat dhe lajthitë i kemi gjatë të gjithë vitit, gjatë sezonit të tyre ato kanë një shije unike.

Si t’i zgjidhni

Lajthitë dhe arrat e reja i gjeni në treg. Si t’i dalloni? Shumë thjesht. Ato janë të mbështjella me lëvoren e tyre karakteristike jeshile që rrethon lëvozhgën.

Si t’i ruani

Lajthitë dhe arrat e hapura mund të ruhen në temperaturën e mjedisit për disa javë.

Këshilla shtesë
Lajthitë mund t’i shijoni siç janë ose mund t’i përdorni në ëmbëlsira apo gatime të tjera. Do t’i japin më shumë shije dhe aromë ushqimit tuaj