Fushata e vaksinimit anticovid në Gjermani do të zgjerohet: do të mund të merret edhe në farmaci dhe tek dentist, deklaroi kryeministri i landit të Bavarisë, Markus Soeder, pas konsultimeve mes zonjës Angela Merkel dhe Olaf Scholz.
“Do të bëhet i mundur vaksinimi në qendrat e vaksinimit, tek mjekët e përgjithshëm, por edhe nga specialistë të tjerë, si stomatologë dhe në farmaci”, theksoi Soeder.
Vala aktuale e pandemisë së COVID-19 është më e keqja që ka goditur Gjermaninë deri më tani, kishte deklaruar para disa ditësh ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, teksa bëri thirrje për një reduktim të rreptë të kontaktit midis individëve.
“Situata është jashtëzakonisht serioze, aq serioze sa në asnjë moment në këtë pandemi deri më sot”, tha Spahn në një konferencë shtypi në Berlin.
“Ne duhet ta ndalojmë këtë valë”, shtoi ai, duke shprehur shqetësimin për variantin e ri që është shfaqur në Afrikën e Jugut dhe ka bërë që vendet evropiane, përfshirë Gjermaninë, të kufizojnë fluturimet nga rajoni.