Ministria e Shëndetësisë i bën apel qytetarëve të vaksinohen sa më parë, për të mbrojtur veten dhe shëndetin e të tjerëve.
Çdo qytetar mbi 16 vjeç, mund të vaksinohet në qendrën shëndetësore ose në pikën më të afërt të vaksinimit të përqëndruar. Vaksinat antiCOVID reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.
Vaksinimi është i hapur edhe për fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar, me rekomandim nga mjeku. Gjithashtu ka nisur vaksinimi me dozën e tretë për të gjithë qytetarët +18 vjeç që kanë kaluar 6 muaj nga kryerja e dozës së dytë.
Nëse dyshoni se jeni i prekur nga COVID19 apo keni shenja të sëmundjes, izolohuni menjëherë dhe kontaktoni me mjekun tuaj të familjes për t’u testuar ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin unik 127.
Ju informojmë për situatën në 24 orët e fundit, si vijon: Janë kryer 2,706 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID19, 309 qytetarë.
Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 145 pacientë, nga të cilët 17 janë në gjendje më të rënduar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit ka 2 humbje jete me SARS-COV2 pozitiv; Një qytetare nga Tirana 47 vjeç dhe një qytetar nga Kavaja 79 vjeç. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve. Janë shëruar 386 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 194,838 që nga fillimi i epidemisë.