Varianti i Covid-19, Omicron, po përhapet me shpejtësi në mbarë botën dhe tashmë është bërë dominues në Zvicër, shkruan faqja e internetit lematin.ch.

Ky fakt shqetëson prodhuesit e vaksinave Covid-19 që po mendojnë të përshtatin produktet e tyre aktuale.

“Po punojmë në dy drejtime: nga njëra anë po studiojmë efektivitetin e vaksinës aktuale ndaj varianteve që po shfaqen aktualisht, nga ana tjetër po analizojmë nëse nevojitet një përshtatje për t’a përgatitur atë. Nëse do të jetë e nevojshme mund të dorëzojmë një vaksinë të përshtatshme në pranverë. Natyrisht me autorizim”, deklaroi Sabine Bruckner, drejtoresha e Pfizer për Zvicrën.

Në mes të dhjetorit, Konfederata Zvicerane rekomandoi vaksinimin e fëmijëve nga 5 deri në 11 vjeç, veçanërisht ata me sëmundje kronike.

Këtë të martë, vaksinat e zhvilluara për fëmijët pritet të mbërrijnë në Zvicër.

Sipas Bernës, dërgesa e parë pritet të përfshijë 249 000 doza të vaksinave pediatrike Biontech/Pfizer.

“Vaksinat kontribuojnë shumë në frenimin e sëmundjeve infektive pasi fëmijët nën 15 vjeç përfaqësojnë 26% të popullsisë botërore. Përveç kësaj, vetëm në Zvicër ka më shumë se gjysmë milioni fëmijë të moshës 5 deri në 11 vjeç. Vaksinimi ka përfitime të mëdha për fëmijët që janë të predispozuar për sëmundje kronike ose që jetojnë në të njëjtën familje me personat e predispozuar”, shtoi Sabine Bruckner.

”Efektet anësore si dhimbja e kokës ose temperatura ishin dukshëm më pak të zakonshme. Te 2,6 milionë fëmijë të vaksinuar pamë saktësisht të njëjtat reagime ndaj vaksinës”, theksoi Sabine Bruckner.