Policia Rrugore e Tiranës ka shtuar kontrollet ditët e fundit me patrulla të shtuara në lëvizje, të pajisura me kamera, radarë, alkooltestues, dronë e aparate fotografike, për të evidentuar drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Njoftohet se pas kontrolleve të kryera janë arrestuar gjashtë drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 të tjerë, për drejtim pa leje drejtimi. Po ashtu, janë gjobitur me nga 20.000 lekë të rinj secili, 8 drejtues mjetesh që bënin drift në Bulevardin e Ri, në bulevardin “Migjeni” dhe në sheshin “Nënë Tereza”.

Kurse 10 shoferë të tjerë janë ndjekur dhe kapur nga policia rrugore pasi u kapën duke gara shpejtësie në Unazë të Re, në segmentin Liqeni i Thatë-TEG dhe në rrugën interurbane Tiranë-Durrës.

Me gjobë nga 30.000 lekë secili janë ndëshkuar 24 drejtues mjetesh, për shkelje të semaforit.

Janë ndëshkuar me nga 7.000 deri në 10.000 lekë të rinj dhe me pezullim të lejes së drejtimit 6 muaj secili, 14 drejtues mjetesh, për mbajte të fëmijëve në vend të parë apo në timon.
Janë bllokuar 8 mjete luksoze, për mungesë të dokumentacionit.
Janë pezulluar 30 leje drejtimi, për shpejtësi dhe për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Janë vendosur 123 masa administrative, për parakalime të gabuara dhe parkime mbi trotuar apo në vija të bardha.