Pak orë nga mbledhja e Kuvendit Kombëtar të thirrur nga kryesia e PD-së, kryedemokrati Lulzim Basha thirri në selinë blu anëtarët e kryesisë për të diskutuar në lidhje me vendimmarrjet e sotme. Fillimisht, sekretari i PD-së, Gazment Bardhi, lajmëroi ndryshimin e anëtarëve të Komisionit të Përhershëm të Ndryshimeve Statutore.

Komisioni i mëparshëm i përbërë nga Gazment Bardhi, Edi Paloka, Edmond Spaho, Albana Vokshi, Belind Këlliçi, Jorida Tabaku, Grida Duma dhe Enkelejd Alibeaj, është ndryshuar dhe tani do të përbëhet nga Enkelejd Alibeaj që do jetë drejtues, Ervin Salianji, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Kreshnik Çollaku, Taulant Zeneli dhe Jonila Godole.

Kjo pikë u miratua pa problem nga kryesia, por e njëjta gjë nuk ndodhi kur Alibeaj propozoi ndryshimet statutore. Nënkryetari i PD-së kërkoi që me statut të sanksionohet krijimi i aleancës me qytetarët dhe ndërkohë, personat subjekt të ligjit të dekriminalizimit dhe të shpallur “non grata” të përjashtohen nga strukturat drejtuese që nënkupton Këshillin Kombëtar apo Kuvendin. Por, kjo pikë u kundërshtua nga një numër i konsiderueshëm i kryesisë dhe u vendos që Kuvendit të mos i propozohet që përjashtimi të normohet në statut, por të merret vendim vetëm për këtë rast.

DISKUTIMET

Gazment Bardhi: Ngrihet Komisioni i Përhershëm i Ndryshimeve Statutore me kryetar Enkelejd Alibeajn, anëtarë Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Ervin Salianji, Kreshnik Çollaku, Taulant Zeneli, Jonila Godole.

Enkelejd Alibeaj: Po lexoj aktin me të cilin do i drejtohemi nesër Kuvendit për ndryshimet statutore: 1. Ngrihet aleanca me qytetarët si organizatë partnere e PD-së ku do përthithen intelektualë. Për hapjen e partisë, për intelektualët, shtresën e mesme, njerëzit pa parti, për ta bërë PD-në parti të shqiptarëve pa ndryshuar boshtin ideologjik, por duke përfshirë këdo që do të japë kontribut dhe pa qenë anëtar partie! 2. Subjektet e ligjit të dekriminalizimit dhe personat e shpallur “non grata” nga SHBA-ja të mos jenë pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Demokratike Shqiptare.

Kreshnik Çollaku: Jam shumë dakord me pikën dy. Ne duhet të shkëputemi një herë e mirë nga personat “non grata”.

Dhurata Çupi: A ka mundësi ta lexosh edhe një herë pikën dy të lutem Enkelejd?

Enkelejd Alibeaj: Subjektet e ligjit të dekriminalizimit dhe personat e shpallur “non grata” nga SHBA-ja të mos jenë pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Demokratike Shqiptare.

Dhurata Çupi: Kjo, pika dy, e thënë shqip është përjashtim për Sali Berishën. Unë dua vetëm që të pyes, a jemi ne në gjendje ta përballojmë këtë vendim me demokratët?

Lulzim Basha: Nuk është përjashtim nga partia.

Dhurata Çupi: Është përjashtim nga grupi parlamentar. Nga pezullimi nga grupi parlamentar shkojmë në përjashtim.

Lulzim Basha: Mendova se e kuptove se përjashtohet nga partia.

Dhurata Çupi: Jo, jo se jam juriste.

Ervin Salianji: Mos ndoshta duket e tepërt që ta përjashtojmë nga grupi me vendim të Kuvendit, sepse ti e ke marrë vendimin tënd. A mundemi ta bëjmë këtë në një formë rezolute? Të jetë një vendim i Kuvendit ku tu jepet e drejta strukturave drejtuese që të marrin vendim për këtë.

Agron Gjekmarkaj: Ndryshimet në statut nuk bëhen kaq vonë, duhet kohë të diskutohen. Por, gjithsesi me parimin jam dakord.

Alfred Rushaj: Ne e kemi treguar forcën tonë. Ne kemi shumicën e kryesisë, shumicën e këshillit kombëtar dhe kemi edhe shumicën e grupit parlamentar. Fakti që mblidhemi vetëm për masa ndëshkimore nuk më duket ide e mirë.

Grida Duma: Ne kemi tre muaj që mbrojmë vendimin tuaj si lider për vendimin që keni marrë. Tani si do ta mbrojmë ne vendimin që të vendosë Kuvendi për të mos pasur në struktura drejtuese njerëz “non grata” apo subjekt të dekriminalizimit?

Gazment Bardhi: Ata na kanë denigruar, kanë nxjerrë video për ne, na kanë linçuar edhe ne duhet ta marrim këtë vendim.

Dhurata Çupi: Unë propozoj që të hiqet, sepse ne që jemi këtu nuk jemi më puritanë. Ligji është vendimtar, kush është subjekt i dekriminalizimit nuk mund të jetë në politikë dhe s’kemi pse ta vendosim edhe në statut.

Ina Zhupa: Në fakt, duket sikur është për Sali Berishën, por kjo është për standardet dhe unë jam dakord edhe me pikën dy.

Oriela Nebiaj: Ne duhet ta ndërmarrim këtë hap, madje unë mendoj se është i vonuar.

Endri Hasa: Unë mendoj se në vendimmarrjen e këtij Kuvendi që sheh drejt së ardhmes për tu shkëputur qartë nga e shkuara, duhet të vendosim për dekomunistizimin në të gjitha nivelet drejtuese, si në parti ashtu dhe në jetën e vendit.

Jonila Godole: Edhe unë jam dakord që përveç “non grata”-t edhe ish-komunistët të mos kenë vend në parti. Flamur Hoxha: Po le ta shtojmë edhe këtë pikë.

Lulzim Basha: Këtë e bëjmë një herë tjetër Taulant Zeneli: Ne duhet ta lëmë siç e ka propozuar Alibeaj pikën dy.

Gazment Bardhi: Unë jam kundër. Nuk mundet që t’ia lëmë në dorë Kuvendit për të marrë këtë vendim.

Lulzim Basha: Ne duhet të jemi të unifikuar. Ne duhet të jemi të gjithë unanim. Nëse ne duam ta dorëzojmë partinë le ta dorëzojmë të gjithë. Nëse do i qëndrojmë, le t’i qëndrojmë që të gjithë.

Gazment Bardhi: Nëse doni ju unë e ngre dorën. Por bindja ime është ajo që thashë më sipër por nëse do, jam i pari që e ngre dorën. Vendoset që të mos jetë pikë për ndërhyrje në statut për të përjashtuar personat “non grata” nga strukturat drejtuese, por Kuvendit do i propozohet për të marrë vendim konkret nëse duhet të qëndrojnë në strukturat drejtuese njerëz të shpallur “non grata”.