Me rastin e festave të fundvitit, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, uroi përmes një bisede virtuale përfaqësuesit e Forcave të Armatosura që shërbejnë në misionet ushtarake në kuadër të NATO-s jashtë vendit.
Duke i cilësuar ambasadorë të Shqipërisë, ministri Peleshi vlerësoi kontributin e të gjithë efektivëve në këto kohë të vështira pandemie. Ai theksoi se Shqipëria edhe pse një vend i vogël renditet në vendet e para sa i përket kontributit aktiv në NATO. Gjatë mesazhit drejtuar përfaqësuesve tanë me mision jashtë vendit, Ministri i Mbrojtjes foli për arritjet e vitit 2021.
“Ky vit që po lëmë pas ishte një vit i suksesshëm për Forcat e Armatosura, për sigurinë dhe mbrojtjen tonë, integritetin tonë kombëtar, për pozicionin dhe rolin strategjik që ky vit e forcoi akoma më tepër përmes stërvitjes “Defender 2021”, një stërvitje e përmasave të pakrahasueshme me çdo stërvitje tjetër që ka ndodhur. Ne ishim një vend pritës. Do të jemi vazhdimisht vend pritës për çdo stërvitje “DEFENDER”, të paktën çdo dy vite që ato do të zhvillohen në rajonin tonë. Kjo stërvitje na krijoi mundësinë për të ndërverpuar në një shkallë të gjerë, por edhe për të krijuar një vetëdije shumë të fortë se sa strategjik dhe sa i rëndësishëm është roli jonë në rajon’, theksoi ministri Peleshi.
Sipas Ministrit të Mbrojtjes, viti që vjen do të sjellë një lartësim të figurës së ushtarakut të FA, përmes rritjes së shpërblimit të miratuar nga qeveria.
“Ne kemi miratuar në qeveri një shpërblim prej 30%, një rritje të sheshtë, që do të thotë nga ushtari i parë e deri te gjenerali do të ketë një rritje 30% të pagës, gjë që na jep më shumë motivim dhe syrin e hapur për të rekrutuar më shumë dhe më mirë. Jemi në një fushatë rekrutimesh në të gjithë Shqipërinë tani. Këtë vit po përpiqemi ta bëjmë më rinore. Do ta vazhdojmë në qendrat e qyteteve. Ftojmë të rinjtë të bisedojnë me ne, ta njohin më afër ushtrinë, të kuptojnë më mirë rolin e FA, cilat janë mundësitë e jashtëzakonshme që FA si asnjë strukturë tjetër u jep », tha më tej z.Peleshi.
Teksa garantoi vijimin e rolit aktiv të Shqipërisë në të gjitha misionet jashtë vendit, Ministri i Mbrojtjes tha se aktualisht Shqipëria ka një buxhet 30% më të lartë, në masën 1.75 % të PBB, për ta rritur atë në masën 2% në vitin 2024, sipas përcaktimeve të NATO-s.
Edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Bajram Begaj u shpreh se ky ishte një vit plot sfida dhe arritje për FA dhe një pjesë e arritjeve u takon pikërisht këtyre misioneve që bëjnë krenar çdo shqiptar.