Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se 100 familje të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe të mbetura pa strehë do të hyjnë në apartamentet e tyre në lagjen “5 Maji” në kryeqytet, teksa më pas do të jenë dhe 1000 të tjera.
Në ceremoninë e rastit kryeministri ironizoi dhe me kryebashkiakun e Tiranës pas lajmeve për makinat e tij.
“Gëzuar Vitin e Ri e me shëndet familjarisht që të gjithë, jo vetëm ju që jeni këtu. Është një fundvitit shumë i veçantë për mua, për ne, sepse nuk ndodh çdo vit, ndodh një herë në shumë vite që të kesh nderin dhe kënaqësinë dhe privilegjin madje që për shkak të detyrës të lumturosh kaq shumë njerëz, kaq shumë familje dhe për më tepër familje të cilat vijnë nga një moment shumë dramatik i humbjes së strehës së tyre dhe që në të shumtë ne rasteve e kanë të pamundur që të kenë një strehë të re ashtu siç do ta dëshironin për fëmijët e tyre. Është kënaqësi, nder e privilegj që edhe këtu të fillojmë sot kthimin në shtëpi të familjeve që humbën gjithçka nga tërmeti, duke iu ofruar mbrapsht apartamente të një cilësie që sot në Tiranë kushtojnë shumë për metër/katrorë dhe për shkak të transformimit të kryeqytetit iu rritet vlera përditë. Sot fillojmë me 100 familjet e para, ndër të cilat pjesa më e madhe as nuk do ta kishin pasur mundësinë që të blinin apartamente të këtyre standarde që do të pasohen nga 1000 familje të tjera në totalin e 100 mijë familjeve të prekura nga tërmeti. Jo vetëm atyre, por edhe atyre që ishin në këtë zonë kur ne vendosëm të ndërtojmë një lagje të re e cila do të jetë së bashku me lagjen e Kombinatit, lagjja më moderne e Tiranës për disa vite, ku gjejnë strehë falë këtij programi edhe familje që ishin këtu në kushte mizerabël, pa infrastrukruë, disa me legalizime, disa pa legalizime fare, disa me prona, disa pa prona fare dhe për të gjithë programi dha një rrugë të re, një mundësi të re duke i ofruar atyre shumë më tepër se çdo t’u ofronte një zhvillues privat dhe duke bërë që edhe familjet e tyre të sistemohen për bukur dhe e gjitha kjo falas, pa asnjë kokërr leku nga xhepi i këtyre familjeve. Nga të gjitha programet e rindërtimit që kemi studiuar në kontinentin tonë, por edhe vende të tjera për të mësuar si i kanë ndërtuar modelet financiare, modelet urbanistike, si i kanë ndërtuar marrëveshjet, nuk kemi gjetur asnjë program që t’i kthejë familjet në shtëpi falas, duke iu dhënë titujtt e pronësisë njësoj si të ishin pronarë, apo blerës. Të gjitha programet kanë kredi, të buta, të buta por janë kredi. Ne nuk mund t’u ngarkonim këtyre familjesve asnjë qindarkë, kështu që për këtë jam shumë krenar sepse është dhe një përgjigje me vepra e gjithë atyre fjalëve e maskarallëqeeve që janë thënë, të cilat për hir të së vërtetës nuk është se e ndryshojnë bindjen time, se e ulin energjinë time apo se e bëjnë më të vështirë punën time, por kanë stresuar kaq shumë njerëz. kanë futur në ankth kaq shumë familje, kanë ngatërruar kaq shumë fqinj me njeri-tjetrin dhe kanë futur frikën tek komunitetet, që nga Kombinati ku çfarë nuk shpikën, deri tek 5 maji, në Vorë, në Kavajë, në Durrës, në Laç, në Kurbin, në Lezhë e deri në Mirditë. Jo shtëpitë nuk do ndërtohen kurrë, jo do ua marrin tokat, jo do bëjnë pallate për vete dhe do i shesin, jo po ua prishin juve që tua japin oligarkëve, një mizerabilitet në emër të politikës dhe në emër të luftës së pakuptimtë për pushtet që për kaq shumë kohë e bëri këtë proces të vështirë për njerëzit.
Edhe sot e kësaj dite në momentin që flasim në Kombinat mund të gjeni njerëz që mendojnë se natën do u shkojnë oligarkët e do t’u marrin tokat e pastaj do shkojë lali Eri të ndërtojë vila atje, bashkë me “mybach”-un edhe me lamborghinin.
Ndërkohë që unë iu them edhe banorëve të Kombinatit që na dëgjojnë se tanimë çështjet janë zgjidhur. Kemi pasur shumë çështje për të zgjidhur për të konsoliduar pronën, për të bërë marrëveshjet me ata që me të drejtë kërkonin pjesën e tyre dhe për të sistemuar gjithë aspektin e letrave, në mënyrë që këto shtëpi falas që vijnë bashkë me titullin e pronësisë në Kadastër të mos kontestohen nga askush. Këto janë lagjet më të mëdha të rindërtimit. përveç 100 familjeve të prekura, projekti parashikon më shumë dhe një lagje në total me 11 mijë banor. Me këtë projekt do vëmë në jetë vazhdimin e gjithë kësaj eksperience, jo vetëm për ata që u prekën nga tërmeti, por edhe për familje të tëra me një kombinim të një programi kombëtar strehimi social për familjet në nevojë dhe çiftet e reja dhe me zhvillime komerciale, për të mos krijuar lagje geto, fjetore të varfërisht, po ku ndërthuren të gjitha shtresat dhe fëmijët e familjeve të pasura dhe të varfra rriten bashkë dhe kur shërbimet janë në nivelin më të lartë. Këtu do ketë shkolla, kopshte, qendër shëndetësore, parqe, terrene sportive, gjelbërim pafund, njësi shërbimi, restorante, klube nate. Edhe jetë nate do ketë. Ai Bregu i Lumit që ka qenë plagë për Tiranën do të jetë një breg lumi krejt ndryshe me zhvillimet që do të vazhdojnë. Për më tepër këtu do ketë dhe godina institucionesh publike, Agjencia e të ardhurave të Shtetit, Shkolla e teknologjisë franceze. Pra, lum kush do jetë banor i 5 Majit dhe Kombinatit në fund të kësaj dekade. Gjithçka kërkon durim dhe punë. Por punët kanë filluar të flasin vetë.
Po ndalem këtu duke iu lënë porosi, kujdes për bravat se ka filluar në qytet një çështje bravash kështu që ruani bravat mos ua ndërrojnë dhe bëni kujdes nga çelësat që s’kanë lidhje me bravën. Mbani çelësin tuaj, bravën tuaj dhe mos shkoni pas çelësave që nuk hapin dot asnjë bravë”.