Sulmuesi i River Plate, Julian Alvarez pritet të jetë përforcimi i parë i Juventusit në merkaton e janarit.
Vet futbollisti nuk e ka përjashtuar mundësinë e transferimit në Itali gjatë muajit të ardhshëm, ndonëse nuk ka dhënë shumë detaje.
Mediat italiane kanë raportuar se Juventusi në parim ka arritur marrëveshje si me futbollistin ashtu edhe klubin e tij.
Për kartonin e 21-vjeçarit, Juventusi i ka ofruar River Plates dëmshpërblim prej 20 milionë eurosh.
Për kartonin e tij, Juventusi thuhet se ka mposhtur konkurrencën e fortë të Bayernit dhe Atletico Madridit.
“Nuk e di se çfarë do të ndodhë muajin e ardhshëm, por do ta marrë vendimin më të mirë për karrierën time”, ka thënë Alvarez duke mos e përjashtuar transferimin në Serie A.
Alvarez po shkëlqen këtë sezon te River Plate, ekip ku ka shënuar 24 gola dhe ka bërë 14 asistime në 46 ndeshje në të gjitha garat. Ai ka kontratë me ekipin nga Argjentina deri në fund të vitit të ardhshëm.