Në një lidhje në Skype, Komisioneri për Mbrojtjen e të dhënave Personale, Besnik Dervishi, duke folur në emisionin ‘Kontrast’ në Report Tv, u shpreh se kanë nisur hetimet në lidhje me të dhënat personale të publikuara më herët.

Dervishi tha se kjo nuk është një punë e lehtë, por tejet e vështirë, gjithashtu ai u shpreh se kanë dyshime të arsyeshme dhe po pritet përfundimi për të marrë masat e nevojshme.

“Do të dëshironim kjo mos të kishte ndodhur dhe natyrisht të mbarojë sa më shpejt. Kemi të bëjmë me një përhapje të paligjshme të të dhënave personale. Teknologjia ka zhvillime të shpejta dhe nga shërbimet që ofrohen nga organet shtetërore sjellë nevojën e marrjes së masave të sigurisë. Zyra e Komisionerit, Brenda hapësirës ligjore, ka administruar provat e publikuara dhe kemi identifikuar subjektin e pare ku mendohet që vjen rrjedhja e saj. Kemi filluar hetimet. Nuk është punë e lehtë, është tejet e vështirë që kërkon përgatitje të lartë profesionale por do bëjmë të pamundurën për masat e nevojshme. Ne kemi menduar dhe kemi dyshime të arsyeshme për subjektin e mundshëm, nuk e kemi përfundimtar. Po presim të shohim se cfarë të dhënash do të dalin nga aty. Ne operojmë nëpërmjet ankesave që vijnë në raste të vecanta,” – u shpreh Dervishi.

Lidhur me fushat në të cilat rrezikohemi më shumë, Dervishi tha se rreziku është i madh kurdo.

“Nëse i referohemi të dhënave të përhapura deri tani, ka një rrezik të përhershëm, jo për të justifikuar ngjarjen, por sa më shumë zhvillohet teknologjia, aq më shumë mund të ndodh. Rreziqet janë të gjithëanshme. Ne nëpërmjet këtyre të dhënave, zhvillojmë cdo gjë nga sociale deri në ato ekonomike. Rreziku është tejet i madh në cdo rast,”- tha ai.