Korça është kthyer tashmë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për vizitorët e huaj, në një nga destinacionet më të preferuara, për të festuar festat e fundvitit.

Dekori i veçantë me drita dhe simbolet e festës së Krishtlindjes dhe fundvitit, vendosur në Pazarin e Vjetër të Korçës i japin këtij qyteti një bukuri magjepsëse.

Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo tha për ATSH-në, se këtë vit ka një interes akoma dhe më të shtuar të qytetarëve, që vijnë nga rrethe të ndryshme të vendit për të festuar festat e fundvitit në Korçë.

“Korça, po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas edhe të huaj, të cilët gjejnë mjaftë tërheqëse bukuritë e qytetit, klimën, gatimet tradicionale dhe traditën kulturore”, tha Filo.

Sipas tij, Korça rezulton të jetë totalisht e rezervuar për Krishtlindje dhe Vitin e Ri.

“Kryesisht pjesa më e madhe e vizitorëve janë nga Tirana, Fieri, Elbasani, Saranda, Vlora Shkodra etj, por nuk mungojnë edhe turistët e huaj deri nga Amerika, Kanadaja, Gjermania”, u shpreh Filo.

Kreu i bashkisë bëri të ditur se, qyteti është shumë i frekuentuar edhe gjatë fundjavave. Aktualisht një numër i madh turistësh drejtohen në Dardhë dhe Voskopojë për shkak të reshjeve të dëborës.

Qyteti, është afirmuar tashmë për festat e veçanta që sjell, ndaj gjatë këtyre ditëve nuk do të mungojnë edhe eventet e veçanta kulturore.

Filo tha se, “në qytetin e Korçës kapaciteti i shtretërve shkon në 3 000 persona ndërsa numri i strukturave akomoduese arrin në 111 nga të cilat 83 janë hotele dhe 30 bujtina.
Vitin e fundit kapacitetet akomoduese në qarkun e Korçës, janë shtuar edhe me 23 njësi të reja (hotele dhe bujtina) duke ofruar më shumë shtretër dhe kushte komode për pushuesit.
Janë vetë qytetarët e Korçës ata të cilët i kanë kthyer banesat karakteristike korçare në bujtina pritëse për turistët. Ajo çfarë i bën aq shumë të dashura bujtinat është ruajtja e stilit origjinal të ndërtimit por edhe arredimi me elementë karakteristik tradicionalë.
Korça është një destinacion mjaft interesant për t’u vizituar pasi në stinën e dimrit të ofron mjaft alternativa argëtimi në fshatin e Dardhës dhe Voskopojë, gjithashtu në këtë zonë gjenden edhe një sërë veprash antike, si bazilikat, mozaikët etj.

Vizitorët vendas dhe të huaj që vizitojnë Korçën kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet. Në çdo kohë, turistët mund të vizitojnë të gjitha atraksionet turistike, të përfshira në turin e qytetit për të cilat orientohen lehtësisht, pasi janë vendosur tabela informuese. Ndërsa investimet në vepra publike kanë shtuar komoditetin e shëtitjeve në parke dhe ambiente të ndryshme historike kulturore që ofron ky qytet.

Gjatë periudhës janar – nëntor 2021, qytetin e Korçës e vizituan mbi 65 000 vizitorë, 63% e të cilëve turistë të huaj.