Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në shqyrtim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2022. Me 65 vota pro Kuvendi i Kosovës ka miratuar buxhetin prej 2.7 miliardë eurosh.
Asnjë nga deputetët nuk ka votuar kundër, ndërsa kishte vetëm një abstenim. Miratimi i buxhetit, që iu shtuan mbi 80 amendamente, u bë në një seancë të jashtëzakonshme, e cila u kundërshtua nga opozita. Në seancën e nisur në ora 11:00, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka mbajtur fjalimin vjetor presidentja Vjosa Osmani. Partitë opozitare e kanë bojkotuar fjalimin vjetor të Osmanit.
Presidentja e Kosovës, deklaroi se nuk do të lejojë që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë të shndërrohet në dialog për statusin, territorin, funksionalitetin e brendshëm e për rendin kushtetues të Kosovës.
Ajo para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se dialogu mund të përfundojë vetëm me njohje reciproke. Sipas saj, Kosova do të vazhdojë të luajë rol konstruktiv në këtë proces, ndonëse Serbia nuk e ka të njëjtën qasje.