Festa e Krishtlindjeve vjen me dy lajme të mira nga ana e Bashkisë së Tiranës për qytetarët të cilët përdorin transportin publik.
Të gjithë ata që e nisin punën në orën 06:00 dhe e mbyllin në orën 23:00 do të kenë mundësinë të përdorin urbanët e ‘Green Line’. Për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, linja e Unazës do të zgjasë orarin e shërbimit, duke nisur nga ora 05:30 deri në orën 23:30.
Gjithashtu me rastin e Krishtlindjeve, është menduar një ‘dhuratë e vogël’ për të gjithë qytetarët e Tiranës. Të gjithë ata që do të duhet të lëvizin me autobus përqark unazës në datën 25 dhjetor nuk do të paguajnë lekë.
Prej disa muajsh në kryeqytet ka nisur nga puna, “Linja e parë e Gjelbër” ose e njohur ndryshe si #TiranaGreenLine nga ana e Bashkisë së Tiranës. Futja e një linje të re unazore, me 66 stacione dhe 24 autobusë hibridë brenda këtij viti, e rendisin Tiranën ndër kryeqytetet avangardë të Europës, që përdorin mjete transporti që nuk ndotin mjedisin.