Viti i Ri është festa e preferuar e shqiptarëve. 96% e tyre e vlerësojnë Vitin e Ri si një nga tre festat më të rëndësishme për ta. Vrojtimi i Barometrit në Euronews Albania i pyeti qytetarët për festat e tyre të preferuara dhe mënyrën se si i kalojnë këto festa.

Mes festive fetare, Bajrami i Madh (ose Kurban Bajrami) është më e preferuara (63%). Më pas vijnë Krishtlindjet (27,4%) dhe Pashkët (21%).
Festat kombëtare të Shqipërisë nuk janë ndër të preferuarat e tyre. Më pak se një në dhjetë shqiptarë (6%) preferon festën e flamurit dhe akoma më pak preferohet dita e çlirimit (2,6%). 93% e shqiptarëve do e kalojnë festën e Vitit të Ri brenda Shqipërisë. Më pak se një në dhjetë prej tyre (6%) planifikojnë të udhëtojnë jashtë shtetit.

Destinacionet më të preferuara për qytetarët që do të udhëtojnë këtë fundvit, janë Italia (35%) dhe qyteti i Korçës (30%). Gjetjet janë të Barometrit të realizuar në 20-30 nëntor 2021, kryer nga MRB dhe Data Centrum në nivel kombëtar, me 1000 intervista ballë për ballë në familje.