“Omicron” është shndërruar në shtamën dominuese në kryqytetin britanik, pasi shtrimet në spitale me të infektuar me këtë shtamë janë rritur me 50 përqind, që kur ky variant i Covid-it u shfaq për herë të parë, më 24 nëntor.
Sipas drejtorit te Shëndetit Publik në Londër Prof. Kevin Fenton, të dhënat sugjerojnë se super-shtama përbën një ndër dy infeksionet e reja në kryqytet. Shtrimet në spitale janë dyfishuar thuajse çdo ditë, ndërkohe vdekjet janë stable dhe do duhet të kalojë deri një muaj kur fatalitetet të fillojnë të shtohen për shkak të kohës kur gjendja përkeqësohet. Në rang kombëtar “Omicron” përbën një ndër pesë rastet me Covid dhe mendohet se do e kalojë “Deltën” në periudhën e Vitit të Ri.
Kjo situatë ka bërë që shtypi britanik të njoftojë për mundësinë e kufizimeve të reja në ditët në vazhdim kur mendohet se infektimet mund të shkojnë deri ne 200 mijë çdo ditë dhe pub-et dhe restorantet mund të mbyllen pasi stafet do jenë të prekur nga virusi që po përhapet me ritme astronomike.
Ndërkaq, studimet nga Afrika e Jugut thonë se “Omicron” po shkakton një të tretën më pak shtrime në spitale sesa varianti Delta, dhe mjekët jug-afrikan kanë akuzuar qeverinë në Londër se po e ekzagjerojnë situatën.
Mendohet se udhëtimet ndërkombëtare janë shkaku i përhapjes kaq të madhe të kësaj shtame në Londër, një nga qendrat më të mëdha në botë të transportit ajror. Periudha e fundvitit kur rriten udhëtimet ndërkombëtare edhe nga Londra drejt viseve shqiptare, do duhet të jetë një këmbanë alarmi për autoritetet shëndetësore për rrezikun potencial të ardhjes së shtamës në Shqipëri apo Kosovë.