Opozita në Maqedoninë e Veriut mbështet një shqiptar për kryeministër. Kreu i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, tha se mbështet propozimin që Afrim Gashi i Alternativës të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re.
Madje u zotua të ndihmonte në sigurimin e votave të nevojshme që ky propozim të kalonte pa ndonjë problem në parlament. “Me 61 vota të qëndrojmë pas emrit të Afrim Gashit”, u shpreh lideri i opozitës në Maqedoni të Veriut duke saktësuar se ai duhet të jetë kryeministër në vend të Dimitar Kovaçevskit, pasi kështu sipas tij, garantohet që proceset euro-atlantike të mos bllokohen.
Kjo erdhi pas takimit mes kryetarit të VMRO-DPMNE dhe Ali Ahmetit që drejton partinë pjesë të qeverisë, Bashkimin Demokratik për Integrim.
Kryeministri Zoran Zaev dha dorëheqjen pas humbjes në zgjedhjet vendore ku shumicën e komunave e fitoi opozita. Ai u largua edhe nga posti i kryetarit të partisë LSDM, post të cilin e mori Dimitar Kovaçevski, i cili kërkon të bëhet kryeministri i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut. Por opozita, me në krye VMRO-DPMNE paralajmëron protesta antiqeveritare dhe kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Prej njoftimit të dorëheqjes së Zaev janë lëkundur edhe pozitat e Maqedonisë së Veriut në projektin e nisur bashkë me Tiranën dhe Beogradin, për nismën e Ballkanit të Hapur. Gjatë një vizite në Kosovë së fundmi, presidenti Stevo Pendarovski tha se pa pjesëmarrjen e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, nisma nuk ishte gjithëpërfshirëse. Takimi i radhës për këtë nismë do të mbahet të hënën dhe të martën në Tiranë dhe pritet me interes qëndrimi që do të mbajë kryeministri në largim, Zaev.
Sikurse edhe Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut nuk i ka nisur ende negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian. Për këtë të fundit është bërë pengesë Bullgaria, e cila nuk miraton kuadrin negociues për shkak të mosmarrëveshjeve për përcaktime historike dhe gjuhësore mes vendeve.
Më parë, vendi pati një problem të ngjashëm me Greqinë, që u zgjidh me ndryshimin e emrit të shtetit, nga ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, në Maqedonia e Veriut.