Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe fitosanitare, në kuadër të iniciativës së Ballkanit të Hapur, mes vendeve te Ballkanit Perëndimor.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, në fjalën e mbajtur pas mbledhjes së qeverisë, tha se përfitimet e Shqipërisë në këtë marrëveshje do te mundesojne qe për herë të parë të hapet eksporti për të gjitha produktet blegtorale, duke përfshirë kafshët e gjalla në bazë të reciprocitetit, besueshmërinë nëpërmjet autoriteteve homologe të sigurisë ushqimore, si dhe duke respektuar mbrojtjen e territoreve mes vendeve të përfshira në këtë marrëveshje nga sëmundjet e transmetueshme në bimë dhe në kafshë.
“Është një arritje pasi operatorët e biznesit e kanë adresuar prej disa kohësh.”, u shpreh Krifca.
Krifca tha se nëpërmjet kësaj marrëveshje do të njihen për herë të parë certifikatat e veterinarisë, ato shëndetësore dhe fitosanitare. Gjithashtu, Krifca tha se do të njihen në mënyrë reciproke tashmë edhe analizat nga laboratorët e autorizuar pervecse te akredituar për herë të parë, duke hequr një kosto të shtuar për biznesin, shkurtimin e kohës së qëndrimit në pikat kufitare dhe mos cënimin e cilësisë së produkteve për vendet përfshirëse
“Sërish, duke adresuar një shqetësim që biznesi ka pasur dhe duke evituar ndalesat dhe kontrollet në pikat e inspektimit kufitar, duke kryer kontrolle tashmë në doganën më të afërt me vendet e destinacionit.”, u shpreh ministrja në fjalën e saj.
Krifca tha se perfitim i kësaj marrëveshje është që do të ulet koha e tranzitit në transportimin e mallrave.
Gjithashtu, ministrja komunikoi se marrëveshja nënkupton edhe shkëmbimin e informacioneve në kohë reale, ndërmjet autoriteteve kompetente, për të siguruar shkëmbimin e produkteve, me shume kontroll dhe mbarëvajtjen e tregtisë rajonale.