Në një komunikim me gazetarët një ditë para Krishtlindjes, kryeministri Edi Rama zbuloi nismën më të fundit, atë të këshillimit me qytetarët shqiptarë për disa nga temat më të rëndësishme, që prekin vetë shoqërinë.
Kryeministri zbuloi disa nga temat kryesore që do iu drejtohen qytetarëve, përmes një pyetësori, që nga pandemia deri te Vettingu. Kështu, Rama theksoi se shqiptarët do të pyeten nëse duhet bërë me detyrim vaksinimi apo jo, dhe në bazë të përgjigjeve të tyre, do të merret edhe vendimi final.
Sa i takon vettingut, Rama sulmoi hapur një gjyqtare, emrin e të cilës tha se nuk e mban mend, për të cilën tha se ka marrë një vendim skandaloz vetëm një javë para se të largohej nga Vettingu.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Natyrisht që në pamje të parë duket sikur konsensusi lidhur me këtë është logjik, por nga ana tjetër së pari ne duam të sigurohemi që kemi këtu jo mbështetje të një shumice që na ka votuar për të qeverisur, por një shumice përtej saj, pa u ndarë në ‘tanët’ dhe ‘të atyre’. Ndaj gjithë ky pyetësor shkon në këtë drejtim. Duhet të kemi parasysh se shtëpisë së përbashkët i vijën dëme pikërisht nga ndasia dhe sherri politik.