Në ditën e Krishtlindjes, drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, i ka dorëzuar imzot Angelo Massafres, Ipeshkvi i Dioqezës së Shkodrës, certifikatën e legalizimit të Kishës së Koplikut dhe “Muzeut kundër genocidit Shkodër” ndërtuar në marrëveshje me Ministrinë e Kulturës nga Provinca Françeskane, “Zonja Nunciatë”.

Lame tha se “është absurde që shteti shqiptar nuk ka qenë në gjendje që të pajisë me leje që përpara ndërtimit të paktën objektet fetare, duke bërë që të gjendemi përpara nevojës së legalizimit edhe për shtëpitë e Zotit”.

Me kishën e Koplikut dhe muzeun e Franceskanëve, shkon në 162 numri i objekteve të legalizuara të Komunitetit Katolik, ku përmenden kisha, manastire dhe objekte strehimore që kujdesen për shtresa në nevojë.
Kisha e Koplikut u ndërtua tërësisht e re pas vitit 1991.