Nga Sadik Bejko/ Sot, nesër, në çdo familje shqiptare flitet e përflitet. Është një prag politik i mbrapshtë. Ç’ bëhet me përplasjen Berisha- Basha?
Mund të mos jesh me asnjërin. Po duke përtypur një kafshatë bukë me miq a me familjarë të tu, bie fjala: çfarë bëhet kështu?
Dhe njeriu duhet të shprehet në këtë tryezën e vogël, intime. Ashtu pa hipokrizi, si në familje.
Më këtë gjuhë po flas
Jo me atë të analistëve. Ata marrin zarfet me para. Ata janë horrat e pasuruar, të korruptuar rëndshëm prej politikës.
Pra, po flas si në tryezën time të thjeshtë, si me vëllanë, djalin, nipin.
Ç’ bëhet? Vjen dikush nga USA. Ai jep një mesazh të qartë.
Dhe Sala nuk jepet. Dhe Sala nuk kthehet. Me dek burri Salë nuk lidhet… nuk lidhet as me dek.
Këto janë trapllëqe folklorike. Turp të vjen t’i përmendësh.
Sala i Berishës po i mban karshillëk botës. SALA… kundër NATO-s e kundër Traktatit të Varshavës. Si atëherë. Edhe sot. I mjeri ai? Të mjerët ne. Kujt po i mban karshillëk?
Ne jemi një vend aq i vogël, aq i varfër, sa nuk e meritojmë një vëmendje të tillë amerikane. Nuk e meritojmë që Amerika të na e thotë troç: mos e ndiqni atë marrokun, atë folklorikun e gërbulur, atë coftinën me emrin Sali.
Nuk jam njeri që ul qafën si skllav para Vëllait të Madh. Nuk e nënvleftësoj vendin tim.
Por jam realist.
Kaq këllqe kemi. Jemi të mbytur në borxhe. Djemtë tanë të rinj përditë po na ikin. Gocat tona më kohë janë bërë mish i bardhë i metropoleve.
Sali Berisha i hipën kalit për së prapi. Kali i tij të hedh veç në humnerë.
Po të ishim popull për së mbari, tani në demokraci do të dinim ta përdornim votën. Shembull është Kosova. Ajo i hodhi në kosh elitat e vjetra prej 20-30 vjetësh.
Ne po kthehemi pas tek njëri, te më i mbrapshti politikan i tranzicionit fatkeq shqiptar. Te Sali Berisha.
Saliu sot është vetëm fatkeqësi.
Thirrini mendjes sa nuk është vonë.
Ne nuk e kemi luksin të ndjekim nga pas ata të shpallurit mendjemykur, të ndjekim ata që me sy të lidhur kalërojnë në marrëzi, ata që kalit i hipin vetëm për së prapi.