Skandali i rrjedhjes së të dhënave personale të shqiptarëve është përshkallëzuar ndjeshëm, duke sjellë të tjera publikime në rrjet. Teksa është ngritur një grup hetimor për gjetjen e burimit të nxjerrjes së informacioneve sekrete, janë zbardhur detajet e para. Burime brenda skuadrës hetimore pranë qeverisë për të analizuar nxjerrjen e të dhënave, bëjne me dije se i kanë dhënë Prokurorisë një pistë shumë të besueshme që pritet t’i adresojë drejt autoreve.
Mësohet se prokuroria po operon me shpejtësi në këtë pistë dhe ka izoluar personin e dyshuar ne Drejtorinë e Tatimeve për ta marrë në pyetje. Më herët, gazeta “TemA” publikoi për herë të parë skemën e rrjedhjes fillestare të informacionit ku ngriti dyshime konkrete se si databaza mund të ketë rënë në duart e gabuara.
TemA nxorri emrin nga ka dalë kjo listë, por që jo domosdoshmërisht është personi që e ka shpërndarë. Nga analiza e dokumentit të shpërndarë në transfer rezultonte një user me emrin e Moza Seraj.
Personi në fjalë është krijuesi i këtij file, por siç e theksuam, jo domosdoshmërisht është ajo personi që e ka publikuar listën.
Vlen të theksohet se lista është vjedhur në mënyrë manuale dhe nuk kemi të bëjmë me një cyber attack. Lista është marrë me exel nga inspektorë të caktuar që kanë pasur lidhje pune me këto të dhëna sensitive. Më pas, dikush e ka shpërndarë me Whatsapp, duke përfunduar kështu tek mijëra persona. Hetimet e Prokurorisë ndërokë, pritet të sqarojnë se çfarë ka ndodhur vërtet dhe nëse lista është shpërndarë me qëllim. Tema/