Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla zhvilloi sot paradite takimin me rektorët e universiteteve, për të diskutuar për marrëveshjet e bashkëpunimit të Kuvendit me institucionet e arsimit të lartë.
Kuvendi i Shqipërisë dhe 27 institucione të arsimit të lartë (13 publike dhe 14 jopublike) në tetor e nëntor të vitit 2018, kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi. Nënshkrimi i marrëveshjeve është një proces i hapur.
Në fjalën e saj në këtë takim, Nikolla nënvizoi se “këto marrëveshje kanë si qëllim promovimin e punës kërkimore-shkencore dhe të mendimit analitik në funksion të demokracisë parlamentare, rritjen e perceptimit dhe të kapaciteteve të studentëve mbi parlamentarizmin, përmirësimin e perceptimit publik dhe njohjes më të mirë të funksioneve të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe mbështetjen e institucioneve arsimore në përmbushjen e funksioneve të tyre, në kuadër të zbatimit të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë. Megjithë kufizimet e imponuara nga pandemia, ky bashkëpunim për Kuvendin vlerësohet i dobishëm dhe kam besim se i tillë vlerësohet edhe nga ana juaj.Besoj se ndajmë të njëjtin mendim se bashkëpunimi ynë ka shumë potenciale të pashfrytëzuara.Ekspertiza dhe kompetenca që ju mund të ofroni, do të kontribuojnë që procesi legjislativ e kontrolli parlamentar të mos nisen nga interesat politike, por nga interesi publik, duke krijuar më shumë hapësira e më shumë burime që kontributi i ekonomisë së dijes në zhvillimin e vendit të rritet. Unë jam e vetëdijshme dhe do të ndikoj që të bëjmë më shumë për financimin e kërkimit shkencor, për mbështetjen e formimit të kapitalit njerëzor për teknologjitë e shërbimet e reja, për mbështetjen e botimeve universitare dhe për mbështetjen e procesit legjislativ nga një veprimtari të mirëfilltë kërkimore dhe realizmi si një proces research-based.”
Rektorët pjesëmarrës në takim falenderuan Kryetaren Nikolla, për vëmendjen që i kushton partneritetit me universitetet dhe botën akademike, rikonfirmuan angazhimin e tyre për të thelluar e zgjeruar bashkëpunimin me Kuvendin dhe gjithashtu bënë sugjerime për tërheqjen më eficente të ekspertizës juridike dhe profesionale, rritjen e fleksibilitetit dhe operativitetit të procedurave financiare, mbështetjen më të madhe me fondet e Bashkimit Evropian, kujdesin më të madh për zhvillimin e degëve për sektorët strategjikë të vendit, përfshirjen më të gjerë të universiteteve në trajnimin e punonjësve të sektorit publik etj.