Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë shprehet optimist për pandeminë. Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesu tha se Covid-19 do të mposhtet në vitin 2022, nëse vendet punojnë së bashku për të frenuar përhapjen e virusit. Rastet globale me Covid kanë arritur në 287 milionë, ndërsa gati 5.5 milionë njerëz kanë humbur jetën për shkak të virusit.

Covid-19 prej dy vjetësh është pjesë e jetës së përditshme. Një sëmundje që ka mbyllur kufijtë, ka ndarë familjet dhe në disa vende e ka bërë të pamendueshme daljen nga shtëpia pa mbajtur maskë.

Pavarësisht gjithë kësaj, Dr. Tedros foli me pozitivitet duke vënë në dukje se tani ka shumë më tepër mjete për të trajtuar Covid-19. Por ai paralajmëroi se pabarazia e vazhdueshme në shpërndarjen e vaksinave po rrit rrezikun e evoluimit të virusit.

“Nëse i japim fund pabarazisë së ndarjes së vaksinave, ne i japim fund pandemisë,”, tha kreu i OBSH.

OBSH ka vendosur një objektiv të ri për vitin 2022: vaksinimin 70% të njerëzve në të gjitha vendet deri në korrik për t’i dhënë fund pandemisë.