Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka akuzuar kombet më të pasura të botës për zgjatjen e pandemisë së koronavirusit duke i dhënë përparësi fushatave të tyre të vaksinës përforcuese në vend të shpërndarjes së vaksinave në vendet e varfra në një mënyrë më të barabartë.

Nëse dozat e vaksinave të përdorura si përforcuese do të ishin shpërndarë te punonjësit e shëndetësisë dhe personat më të prekur në vendet e varfra, 40 për qind e popullsisë së botës mund të ishte vaksinuar deri në shtator, tha OBSH.

Pragu prej 40 për qind është i rëndësishëm pasi sipas modelimit të vetë OBSH-së, faza akute e pandemisë do të përfundojë sapo të arrihet një shkallë vaksinimi prej 40 për qind në mbarë botën.

Megjithatë, edhe deri në fund të vitit 2021, mbi gjysma e vendeve anëtare të OBSH-së nuk e kanë arritur objektivin e vaksinimit të 40 për qind të popullsisë, tha të mërkurën në Gjenevë shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Programet e përgjithshme përforcuese ka të ngjarë ta zgjasin pandeminë, në vend që t’i japin fund”, tha Tedros, duke shtuar se në vend të kësaj, dozat e vaksinave po shpërndaheshin në vendet që tashmë kishin shkallë të lartë të vaksinimit.

Tedros paralajmëroi se kjo i kishte dhënë mundësinë virusit të përhapej në zonat e pafurnizuara duke formuar variante të reja.